Për 11 muaj OJQ 'Raba Voca' ndërgjegjësoi qindra persona për dhunën ndaj grave

 

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Raba Voca” që nga prilli i 2022-tës e deri në shkurt të 2023-tës ka ndërgjegjësuar qindra persona për dhunën ndaj grave.

Kjo Qendër si përfituese e grantit nga raundi i 17-të i Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK) në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave” ka mundësuar që gratë dhe vajzat të kenë akces dhe informacione rreth mekanizmave ligjorë shtetërorë nëpërmjet tele-këshillimit, si dhe të ndikojë në përmirësimin e zbatimit të kuadrit ligjor për dhunën në familje, duke përfshirë përgjegjësinë institucionale për të ndihmuar personat që kanë pësuar dhunë.

Kësisoj, gjithsej 106 gra dhe vajza kanë pasur akces në një sërë shërbimesh online dhe fizike në strehimore, ndërsa 50 të tjera janë referuar në mënyrë efektive në institucionet përkatëse, duke përfshirë Qendrat për Punë Sociale në dhe komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Për më tepër, pas përpjekjeve të synuara të avokimit, tri gra kanë siguruar me sukses mbështetjen e strehimit social nga Departamenti i Mirëqenies Sociale në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Këto arritje reflektojnë një përmirësim të dukshëm në ndërgjegjësimin dhe llogaridhënien institucionale në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Ky transformim është realizuar nëpërmjet shpërndarjes së përmbledhjeve të politikave tek entet kyçe si policia, QPS-ja dhe zyrat bashkiake.

Fidane Hyseni nga kjo qendër ka theksuar për KALLXO.com se këshillimet ligjore tek gratë e mbijetuara dhe të braktisura kanë pasur efekt pozitivë dhe reflektim të dukshëm, që ato ta ndryshojnë mendimin pre veten e tyre.

“Grave ky projekt ju ka ndihmuar që në të ardhmen me mbështetje të institucioneve t’ia dalin vete pa ju nënshtruar dhunuesit”- ka thënë Hyseni.

Ajo ka shtuar se projekte të tilla janë të nevojshme ngaqë gratë kanë fituar besim më tepër dhe sipas saj, shihet qartë që ato janë më të vendosura që të mos lejojnë më dhunën siç janë nënshtruar më parë.

 

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit
Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve
dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë
COVID-19”.