RRGK dhe strehimoret i reagojnë KGJK-së e KPK-së për punën e organizatave joqeveritare

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) dhe të gjitha strehimoret e Kosovës kanë reaguar ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK).

Këto të fundi gjatë ditës së stome duke i kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti,  i bën thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit, siç thuhet në reagimin e KGJK-së dhe KPK-së,  të mos të mbesin në mëshirën e organizatave joqeveritare për strehim dhe rehabilitim.

Sipas RrGK dhe strehimoreve, organizatat joqeveritare dhe strehimoret kanë qenë gjithmonë aty për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore, edhe në rastet kur policët, prokurorët dhe gjyqtarët kanë shkelur ligjin dhe nuk iu kanë dalë në ndihmë viktimave të dhunës në baza gjinore.

“Gjuha e përdorur e KGJK-së dhe KPK-së si ‘në mëshirën e OJQ-ve’, ul rëndësinë dhe përçmon punën që OJQ-të kanë bërë deri tani qoftë me këshillim, përfaqësim, monitorim dhe strehim të viktimave të dhunës me bazë gjinore. Viktimat e dhunës në baza gjinore nuk ndjehen të sigurta dhe nuk gjejnë përkrahje e ndihmë në institucionet e Kosovës sepse deri tani institucionet tona kanë dëshmuar se si dështojnë të mbrojnë ato”-thuhet në reagim.

Rasti i fundit, thuhet më tej në reagim, tregon edhe njëherë dështimin e institucioneve në mbrojtje dhe sjellje të drejtësisë për gratë dhe se viktimat e dhunës në baza gjinore kanë gjithmonë përkrahjen e organizatave joqeveritare.

Po sipas RrGK-së  dhe strehimoreve institucionet e drejtësisë duhet te bashkëpunojnë me organizata joqeveritare trajtimin e rasteve sipas kërkesave te Konventës se Stambollit dhe njohin shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në çdo rast që kanë trajtuar deri tani.

Po sipas komunikatës, strehimoret kanë përvojë të gjatë në njohjen dhe evidentimin e neglizhencës institucionale, sidomos nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policisë, si pasojë e të cilës puna e tyre dhe siguria e tyre rrezikohet përditë!

“Prandaj, RrGK thërret në koordinim dhe bashkëpunim ndër-institucional, në sigurimin e trajtimit të drejtë të viktimave të dhunës në baza gjinore. RrGK do të vazhdojë punën në këshillim ligjor, përfaqësim dhe monitorim në gjykata për të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore”-thuhet në reagimin e RrGK-së dhe strehimoreve.