Ilustrim

Diskriminimi gjinor - Shkollat pa programe trajnuese për mësimdhënësit 

Lufta ndaj diskriminimit gjinor dhe vetëdijesimi i shkollave për këtë problem po del të jetë një ngecje për Kosovën. Si problem më i theksuar kjo çështje del të jetë në komunat më të vogla si pasojë e mungesës së trajnerëve dhe programeve për t’i trajnuar mësimdhënësit për këtë temë.

Shkollat konsiderohen si vendet dhe mjediset institucionale më të mira ku individët me përkatësi të ndryshme politike dhe shoqërore bashkohen për të mësuar, debatuar dhe promovuar diskutim racional dhe tolerancë.

Këto institucione arsimore janë vende që kërkojnë ndryshim të vazhdueshëm në mënyrë që të përqafohen plotësisht nga ndryshimet shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore të shoqërisë.

Mirëpo, shpesh mungesa e trajnimeve për mësimdhënësit dhe mangësitë në adresimin e çështjeve që prekin të drejtat e njeriut pengojnë edhe avancimin e shkollave dhe sistemit arsimor.

Një problem i tillë po del të jetë edhe mungesa e programeve trajnuese për adresimin e çështjeve si diskriminimi dhe barazia gjinore.

Si është gjendja në Komuna? 

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtoritë komunale të Arsimit (DKA) nga shtatë rajonet e Kosovës dhe pjesa më e madhe e tyre kanë pohuar se në komunat e tyre nuk janë mbajtur programe trajnuese për mësuesit për të adresuar sfidat e diskriminimit dhe barazisë gjinore.

Drejtori i Arsimit në komunën e Kaçanikut, Zahir Doda ka treguar për KALLXO.com se nuk kanë pasur trajnime të tilla për mësimdhënës ndonëse e ka pohuar rëndësinë e mbajtjes së trajnimeve për këtë temë.

“Nuk ka pasur ndonjë trajnim të tillë për mësimdhënës… me sa jam unë i informuar nuk ka pasur. Mendoj që duhet. Realisht ka nevojë, nuk e kemi menduar por sipas të gjitha gjasave nëse krijohet si trend patjetër që edhe ne vazhdojmë me të njëjtat valë” – ka thënë drejtori.

“Unë mendoj që është e nevojshme, të paktën në pjesët si provinca jonë ka nevojë”- ka shtuar ai.

Se nuk kanë programe të tilla për mësuesit e ka pohuar edhe drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi.

“Jo, nuk ka ndonjë program që mësuesit e kanë ndjekur për trajtimin e barazisë gjinore. Të paktën unë sa jam që një vit e gjysmë nuk ka”- ka thënë Dervishi.

Megjithëse ai ka përmendur një trajnim për rëndësinë e barazisë gjinore që e kanë mbajtur para një muaji disa drejtorë të komunave.

“Një trajnim e kemi mbajtur për rolin dhe rëndësinë e barazisë gjinore, zhvillimit shoqëror, shëndetin publik ne jetë… Trajnimin e kemi mbajtur para një muaji me një organizatë vendore që merret me barazi gjinore. Janë trajnuar drejtorët e arsimit, drejtorët e disa komunave”-ka thënë kreu i Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë.

“Kemi marrë edhe direktiva prej zyrtarëve të buxhetit që në planifikimet e vitit të ardhshëm me pas parasysh edhe barazinë gjinore”- ka shtuar ai.

Edhe nga komuna e Rahovecit kanë pohuar se nuk kanë trajnime të tilla për mësimdhënës, ani pse drejtori i Arsimit Avni Morina ka cilësuar se nëse trajnimet e tilla do të mbaheshin nga MASHTI ato do të ishin të mirëseardhura.

Morina ka përmendur se kanë tre trajnerë në këtë komunë dhe e ka cilësuar si sfidë mungesën e një numri më të madh të trajnerëve.

“Sfidat themelore për neve janë mungesa e stafit të mjaftueshëm për trajnim sepse nuk kemi trajner të mjaftueshëm dhe ndoshta do të ishte mirë që edhe Ministria e Arsimit të na ndihmonte në këtë aspekt” -ka thënë ai.

Morina ka shpjeguar se në këtë komunë para fillimit të vitit shkollor, gjatë gushtit mësimdhënësit e rinj marrin trajnime që lidhen me kurrikulën dhe mësimin, mirëpo ka pohuar se nuk kanë pasur ndonjë trajnim për barazinë gjinore.

“Për barazinë gjinore dhe diskriminimin nuk kemi pasur ndonjë trajnim nga MASHTI viteve të fundit por do të ishte i mirëseardhur nëse do të bëhej një organizim i tillë nga MASHTI”.

Edhe nga komuna e Klinës kanë treguar se në këtë komunë nuk kanë trajner për barazinë gjinore apo diskriminimin.

“Në Komunën tonë nuk kemi trajner që trajtojnë barazinë gjinore apo diskriminimin. Po ashtu, ju informojmë se kohëve të fundit nuk kemi pasur ndonjë trajnim për mësimdhënësit që ndërlidhen me tematikat e tilla” – është thënë në përgjigjen që e ka dhënë për KALLXO.com Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë.

Përgjigje të ngjashme ka dhënë edhe drejtori i DKA-së në Lipjan, Rasim Hasani.

“Nuk kemi trajnime të mësimdhënësve në temën që ju e përmendet”- ka thënë drejtori Hasani.

Ndërkaq, Dardan Abazi drejtor i Arsimit në komunën e Vushtrrisë ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë prorgrame trajnuese për sfidat e diskriminimit gjinor po ka përmendur se temat e barazisë gjinore dhe lufta kundër diskriminimit janë të integruara në programet mësimore.

“Përveç kësaj, Zyra e Barazisë Gjinore në komunë, është shumë aktive në mbajtjen e ligjëratave në shkolla, punëtorive dhe diskutimeve të ndryshme që trajton edhe tema si barazia gjinore” – është përgjigjur Abazi për KALLXO.com.

Nga shtatë komunat që i ka kontaktuar KALLXO.com vetëm nga Komuna e Suharekës kanë pohuar që në shkolla janë mbatur trajnime lidhur me barazinë gjinore.

Mirëpo, kreu i kësaj drejtorie, Remzi Bajselmani ka treguar se këto trajnime janë mbajtur nga organizata joqeveritare.

“Ne kemi pasur trajnime të tilla në shkolla nga OJQ të ndryshme por këtu në stafin tonë nuk kemi. Mirëpo, organizime ka pasur…”.

Sipas, Bajselmanit trajnime të tilla nuk janë mbajtur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

“Nuk më kujtohet që MASHTI ka bërë diçka të tillë”- është shprehur ai.

Nevoja për t’i trajnuar mësimdhënësit 

Organizata joqeveritare (OJQ) për integrim dhe zhvillim social “Follow Up Kosova” është një prej OJQ-ve që ka mbajtur trajnime për barazinë gjinore, dhunën dhe edukimin seksual nëpër shkolla fillore dhe të mesme.

Agmie Osmani, drejtoreshë kësaj organizate ka treguar për KALLXO.com se gjatë këtyre aktiviteteve kanë vërejtur se shumë shkolla nuk kanë pasur trajnime të tilla më herët.

“Ne si OJQ kemi përvojë me shkollat sepse kemi mbajtur trajnime për barazinë gjinore, temën e dhunës dhe e kemi prekur pak edhe temë e edukimit seksual. Kemi vërjetë që nuk kanë hasur trajnime të mhershme shumica e shkollave. Kemi mbajtur trajnime kryesisht të komunës së Prishtinës”- ka thënë ajo.

“Edhe nëse kanë pasur trajnime shumica kanë qenë prej OJQ-ve që e kanë mbajtur me vullnetin e tyre. Por nuk kem dëgjuar për ndonjë nismë (për trajnime të tilla) që ka qenë taman prej institucioneve publike”- ka shtuar Osmani.

Tutje, ajo ka përmendur se gjatë trajnimeve kanë vërejtur disa rate kur nxënësit por edhe mësimdhenësit kanë pasur vështirësi në kuptimin e disa termave bazike të barazisë gjinore, dhunës dhe edukimit seksual.

“Ne si organizatë mendojmë që njëra prej arsyeve se pse shkollat qalojnë kaq shumë në barazi gjinore është edhe për faktin që te ne nuk ekziston edukimi seksual në kurrikulë edhe disa tema mbesin pa u folur anjëherë me nxënësit”- është shprehur ajo.

Osmani ka theksuar se ka raste kur mësimdhënësit bëhen vet pjesë e mentalitetit patriarkal ku ka veçuar si shembull raste kur para nxënësve ata i veçojnë profesionet që ndahen për vajza dhe për djem, dhe për stigmën për të folur për temat rreth edukimit seksual.

“Për shembull kur flitet për ciklin mesntrual nëpër shkolla djemtë zakonisht largohen prej klasës dhe mbesin veç vajzat e që është një tregues shumë i madh që ata mendiojnë që cikli menstrual është temë që veç vajzat duhet ta dinë”- ka përfunduar ajo.

Përpos mungesës së trajnimeve, problem dhe mungesë motivimi për nxënësit po del të jetë edhe shpjegimi i mësimit përmes formave klasike e pa ndonjë avancim.

Për këtë arsye, Riga Raci, përfaqesuesja e Komunës së Fushë Kosovës në Këshillin Drejtues të Keshillit të Nxenësve të Kosovës konsideron se duhet të jenë të detyrueshme programet trajnuese për mesimdhenesit për diskriminim dhe barazi gjinore.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës mendojmë që trajnerët dhe programet trajnuese për mësimdhënësit për diskriminim dhe barazi gjinore duhet me qenë të detyrueshme, pasi që një numër i madh i mësimdhënësve kanë mbetur me metodat klasike, gjë e cila po afekton në mënyrë negative tek gjeneratat e reja”- ka thënë Raci.

Ajo e ka cilësuar shqetësuese këtë gjendje.

“Për neve si Keshill i Nxënësve të Kosovës do të ishte tejet shqetësuese nëse këto programe nuk do të fillonin sa më shpejt, pasi ne dëshirojmë që secila gjeneratë që po vie të jenë me vullnet për punën dhe për të ardhmen e tyre, e jo të ndihen të diskriminuar në mënyra të ndryshme”- ka shtuar ajo.

Njohësja e arsimit, Arbisa Shefkiu nga Instituti EdGuard ka thënë se mungesa e trajnimeve specifike për diskriminimin dhe barazinë gjinore për mësuesit është një çështje urgjente që duhet adresuar dhe institucionet e arsimit dhe ofruesit e këtyre trajnimeve/programeve duhet t’i marrin më shumë në konsideratë para licencimit të trajnimeve të caktuara.

“Duke marrë parasysh zhvillimet dinamike në botë të globalizmit, është thelbësore që mësimdhënësit të pajisjen me njohuri, teknika e strategji në mënyrë që të nxisin barazinë gjinore brenda objekteve shkollore dhe të sfidohen stereotipat e ndryshme” – ka thënë Shefkiu.

Sipas saj, mësimdhënësit luajnë një rol kyç në formësimin e të rinjve dhe krijimin e mjediseve gjithëpërfshirëse të të mësuarit, por pak ka programe të trajnimit që ofrohen për ta që ndërlidhen direkt për tema të ndryshme specifike, siç është edhe diskriminimi dhe barazia gjinore.

“Ofrimi i trajnimeve të specializuara në këto fusha do të rrisë aftësitë e mësimdhënësve për të krijuar mjedise mësimore gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë nxënësit” – është shprehur Shefkiu.

Ajo ka shtuar se është thelbësore që institucionet arsimore dhe politikë bërësit të njohin rëndësinë e investimit në programe të specializuara trajnimi për të pajisur mësuesit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të trajtuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë gjinore në mënyrë efektive.

Roli i SBASHK-ut 

Ngritjen e zërit për të drejtat dhe avancimin e mësimdhënsve shpesh e bën edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) e cila është organizatë e pavarur nga shteti dhe partitë politike, që lobon për interesat e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit, shkencës dhe kulturës.

Në një prononcim për KALLXO.com nënkryetarja e kësaj sindikate, Vjollca Shala ka thënë se e përkrahin idenë që mësimdhënsit të trajnohen për adresimin e diskriminimit dhe barazisë gjinore, ndonëse sipas saj SBASHK-u nuk ka kopmetenca direkte për të ndikuar në këtë çështje.

“Në si SBASHK fillimisht nuk kemi ankesa qoftë nga ndonjë mësimdhënëse apo mësimdhënës që iu është bërë ndonjë diskriminim apo shkelje nga aspekti i barazisë gjinore. Mirëpo, megjithatë ne jemi pro që të ketë programe trajnimi për diskriminimin dhe barazinë gjinore me qëllim që mësimdhënësit të aftësohen dhe të dinë ta bëjnë adresimin e një shkeljeje të tillë që bëhet qoftë në aspektin diskriminues qoftë në atë të barazisë gjinore”- ka thënë Shala për KALLXO.com.

“MASHTI është ai që duhet ta bëjë planifikimin e programeve të trajnimeve…. Ne si SBASHK në mënyrë indirekte mund të lobojmë”- ka shtuar ajo.

Shala gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë që në rast nevoje edhe SBASHK-u të përgatisë një program trajnimi për mësimdhënësit.

“Nëse neve do ta na vinin raste që ju është bërë shkelje e tillë ose një diskriminim i tillë atëherë ne natyrisht që do të mendonim që edhe ne vet ta përgatisim një program trajnimi të tillë qoftë përmes kryetarëve të sindikatave të niveleve komunale, qoftë edhe në mënyrë direkte nga mësimdhënësit të përgatitin një program të tillë. Dhe natyrisht në momentin që do të shpallej nga Ministria e Arsimit konkursi për aplikim për akreditim të programeve të trajnimeve natyrisht që ne do të konkurronim”- është përgjigjur Shala.

Premtimi i MASHTI-it: Për vitin tjetër janë planifikuar trajnimet

KALLXO.com i është drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për të marrë një përgjigje lidhur me mungesën e trajnimeve të mësimdhënësve për adresimin e temave të diskriminimit dhe barazisë gjinore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Edona Kutleshi Maliqaj, këshilltare për media në këtë ministri ka thënë se MASHTI çdo vit shkollor ka organizuar sesione informuese me mësimdhënës për respektimin e barazisë gjinore brenda shkollës.

Mirëpo, Kutleshi- Maliqaj ka theksuar se sa i përket diskriminimit, trajnimet me mësimdhënes janë planifikuar nga viti 2024.

Ajo ka përmednur se edhe në lëndët shkollore trajtohen tema për vetdijesimin ndaj mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore.

“MASHTI në të gjitha dokumentet e saj si në Kurrikulën e Kosovës, në programet lëndore dhe në programet ndërkurrikulare e trajton temën e mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore. Përndryshe, për mosdiskriminim ka edhe politika nacionale sipas Ligjit për mbrotje nga mosdiskriminimi” – ka thënë ajo.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.