Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai kosovar, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Komploti për ndarjen e Kosovës, Rama e quan gënjeshtër

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se  ekziston një dyshim i bazuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës.

Sa i përket kësaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka thënë se nuk ekziston një komplot për ndarjen e Kosovës dhe e ka quajtur këtë një gënjeshtër.

“Sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës më kujton atë shprehjen që: “Sa pa dalë facebooku, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet”. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe dhe ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në gjitha nivelet duke përfituar nga facebooku dhe mundësia për të torolisur të gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe me budallallëqe të rrezikshme.

Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online. Për më shumë do të angazhohem dhe do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia.”, ka deklaruar Rama./21Media