Faqja e parë famëkeqe Tugjman-Millosheviq e vitit 1993; një version i mëvonë me presidentin e Bosnjës Alija Izetbegoviq - reagimi i Feral ndaj Marrëveshjes së Paqes në Dejton. Foto kortezi nga Lupiga dhe Leo Nikolic.

Kohët e turbullta për revistën anti-establishment të Kroacisë

Kjo është pjesa e parë e dy serive në të cilat BIRN sheh pas te themelimi 25 vjet më parë të ‘Feral Tribune’, një revistë që luftoi beteja të vazhdueshme me regjimin kroat të viteve 1990 dhe vijon të mbetet simbol i gazetarisë së pavarur.

Në katin e tretë të një ndërtese në numrin 10 të Shëtitores Bacvice në Split, muzika e lartë rok përplaset në korridoret e zbrazura në orët e vona të natës. Në ndërtesë, ku kanë zyrat një numër organizatash të shoqërisë civile dhe parti politike të vogla, piktori vendës Pave Majiq ka studion e tij.

Duke qëndruar mes punëve të tij që kanë forma gjeometrike shumëngjyrëshe dhe duke mbajtur një pardesy të bardhë me shenja boje, Majiq thotë se atij i vjen keq që Feral nuk ia doli të mbijetojë.

Ai po i referohet një reviste legjendare anti-estabilishment të quajtur Feral Tribune, e cila filloi të botohej 25 vjet më parë pikërisht në këtë dhomë ku po qëndron Majiq, dhe që më pas pushtoi shumicën e katit të tretë të ndërtesës.

Feral botoi numrin e parë me titullin kryesor “Ante Paveliq Gjendet i Gjallë”, duke njoftuar një “intervistë ekskluzive” me udhëheqësin e lëvizjes Ustashe të fashistëve të Luftës së Dytë Botërore, i cili kishte vdekur 33 vjet më herët. Artikulli ironikisht sugjeron se fryma e tij ishte kthyer pas në jetën politike të Kroacisë.

Dhoma e lajmeve të Feral tashmë është një studio arti. Foto: Sven Milekiq/BIRN.

Faqja e parë tregoi gjithashtu një dorë që i merrte një shkop policie një personi tjetër nga dora, me titullin “Stafetë Rinore”. Kjo ishte një referencë ndaj ngjarjes së përvitshme të organizuar për nder të ditëlindjes së presidentit të Jugosllavisë Josif Broz Tito – por në versionin e Feral, ky version më i dhunshëm i garës me stafetë shënonte 71 vjetorin e ditëlindjes së presidentit të Kroacisë Franjo Tugjman.

Feral ishte një nga të paktat media në Kroaci që kundërshtoi administratën e Tugjman gjatë viteve 1990, kur shumica e medias ishte nën kontrollin e qeverisë. Me satirën e vet, si dhe me gazetari investigative, Feral prezantonte një hapësirë për liri gazetareske, duke ofruar një alternativë ndaj narrativës dominuese shtetërore.

Deri kur ajo u mbyll më 2008, për shkak të mungesës së reklamave, padive gjyqësore rrënuese dhe problemeve financiare të shkaktuara nga ndërhyrja shtetërore, Feral ishte e rëndësishme për shkak se ofroi hapësirë për shumë gazetarë të njohur, redaktorë dhe opinionistë që ishin pushuar nga puna ose ishin margjinalizuar gjetkë dhe po kërkonin një mjedis më të lirë në të cilin të mund të shpreheshin.

Feral Tribune – një ide e lindur nga nevoja

Numri i parë i Feral Tribune; logoja origjinale e Feral u krijua me dorë nga Boris Dezulovic. Foto kortezi e Leo Nikolic/Sven Milekic/BIRN.

Feral filloi jetën në verën e vitit 1988 si një suplement satirik i të përjavshmes Nedjeljna Dalmacija, themeluar nga kryeredaktori Viktor Ivançiq dhe kolegët e miqtë e tij, Boris Dezuloviq dhe Predrag Luçiq, një trio që u njoh bashkarisht si ‘Viva Ludez’, një amalgamë e pjesëve të mbiemrave të tyre.

Publikimi i ri mori menjëherë famë: “Pas një muaji ne u ndaluam,” thotë Dezulovic duke qeshur.

Arsyeja për ndalimin ishte një lajm satirik që tallej me protestat nacionaliste dhe anti-estabilishment të organizuara nga presidenti i Serbisë Slobodan Milosheviq, i cili në atë kohë dominonte skenën politike në Jugosllavi.

“Një muaj para kësaj, ne ishim studentë që po bënim qejf ndërsa një muaj pas përfunduam në të gjitha gazetat, të përshkruar si rrënues të vëllazërisë dhe unitetit socialist të Jugosllavisë,” shpjegoi Dezuloviq.

Ata u shpallën të pafajshëm në gjykatë, ku gjykatësi Branko Seriq e justifikoi vendimin duke thënë se satira ka “lirinë e opinionit të garantuar”.

‘Viva Ludez’ – Ivançiq (majtas), Luçiq (qendër) dhe Dezuloviq – në fillim të viteve 1990. Foto Kortezi Leo Nikolic.

Feral lëvizi te e përditshmja Slobodna Dalmacija, në të cilën ishte gjithashtu si suplement i përjavshëm, por pas blerjes së gazetës nga një biznesmen anëtar i partisë në pushtet të Tugjman, trioja vendosi të lëvizë sërish vetëm.

Më 1 qershor 1993, me luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegocinë, Feral nisi si një publikim i pavarur – një sipërmarrje e madhe në një skenë mediatike jo të lirë e cila ndikohej gjerësisht nga partia në pushtet Bashkimi Demokratik i Kroacisë, HDZ.

“Ideja lindi nga nevoja; ne nuk ëndërronim të kishim gazetën tonë, por kur ra Slobodna Dalmacija, nuk kishte vend tjetër ku të mund të shkonim; nuk kishte hapësirë mediatike ku ne mund të shkruanim,” tha Ivançiq për BIRN.

“Pastaj na lindi ideja – ‘le të tentojmë diçka’ – dhe nëse jo, ne mund të ikim në emigrim për të larë pjata,” shtoi ai duke qeshur.

Spliti – një ‘Kasablanka’ e viteve 1990

Në mënyrë që të mbulonin koston e botimit të numrit të parë në qershor 1993, trioja mori para hua.

“Ne nuk ia kishim idenë se sa e madhe ishte kjo audiencë ‘ilegale’,” tha Ivançiq.

Ai shtoi se numri i parë u botua 30 mijë kopje, të cilat u shitën praktikisht që në ditën e parë.

Në atë kohë, kishte një atmosferë lufte në Split – megjithëse qyteti nuk ishte në vijën e frontit – dhe banorët vendës nuk e morën shumë mirë Feralin.

“Ne gjendeshim në atë dhomë të vogël në numrin 10 të Shëtitores Bacvice, si në një lloj azili apo strehimi antiatomik, të ndarë nga tmerret përreth nesh… Në atë kohë, ustashë klasikë me këmisha të zeza me ‘U’ (Ustashë) në kapele dhe me kallashnikovë në krahë qarkullonin në rrugët e Splitit,” rikujtoi Dezuloviq.

“Në Split në gjithmonë ndjeheshim sikur kishim rënë nga marsi në atë qytet; ne nuk kishim asgjë të përbashkët me të,” thotë Ivançiq.

“Pati një atmosferë të zymtë në Split. Ai ishte një version i ‘Kasablankës’ (filmit klasik të Hollivudit’ – ti nuk je në vijën e frontit, por ka armë dhe trafikantë droge, një mjedis i zymtë që sillet përreth luftës. Përveç kësaj, kishe edhe vjedhjen masive të apartamenteve që ishin nën pronësinë e ushtrisë, me një atmosferë agresive të të djathtës,” shtoi ai.

Pjesërisht bandë roku, pjesërisht ‘Monty Python’

Dhoma e lajmeve të Feral, nga e majta në të djathtë: Lucic, Heni Erceg, gishti i mesit i Rino Belan, Nebojsa Taraba, Leo Nikolic, Dezulovic dhe Ivancic. Foto kortezi e Leo Nikolic.

Atmosfera armiqësore në qytet dhe në zonë në tërësi nuk shkaktoi disfatizëm në dhomën e lajmeve të Feral.

“Ne nuk punuam kurrë si një revistë super-profesionale ku çdokush e di punën e vet dhe askush nuk përzihet në punën e të tjerëve dhe ata nuk kanë kontakt tjetër veç atij profesional. Ne dilnim bashkë, çdo ditë pas pune shkonim te lokalet te sheshi Miro (lokali i tyre i parapëlqyer). Ne me të vërtetë ishim një familje,” thotë Dezuloviq.

“Ne nuk ishim një dhomë klasike lajmesh; ishte më shumë si një bandë rroku,” shtoi ai.

Ajo që Feralit nuk i mungonte ishte kreativiteti.

“Feral ishte një makineri serioze krijuese që nga fillesat… Të tre ne, kur po bënim satirë, ishim të kufizuar në mënyrë të ndërsjelltë nga vaniteti jonë. Nëse njëri i thoshte tjetrit se kjo ‘nuk është mirë’, tjetri nuk do të pyeste pse.” shpjegon Ivançiq.

Revista zhvilloi një stil unik hibrid raportimi, duke kombinuar satirën, gazetarinë serioze investigative dhe forma më shumë letrare.

Damir Piliq, i cili filloi të punojë për Feral më 1994, rikujton takimet plot gallatë krijuese të redaksisë, që udhëhiqej nga trioja.

“Të tre ata, përveç të qenit gazetarë dhe redaktorë të shkëlqyer, ishin edhe disa nga njerëzit më gallatë që unë njoh. Dhe kur ti ke gazetarët Ivica Ivaniseviq dhe Cico Senjanoviq pranë tyre, gjithmonë të krijohej përshtypja se po shihje ‘Monty Python’,” tha Piliq për BIRN.

“Gjithashtu, të gjithë ata ishin intelektualë të fortë. Victor na thoshte ne: ‘Duhet të lexoni gazetat që të jeni të informuar, por duhet të lexoni libra dhe të mbani një fjalor.’ Këtë nuk ma ka thënë kurrë asnjë tjetër që nga ajo kohë,” shtoi ai.

Feral dhe Tugjmani – Davidi dhe Goliati

Tugjman si ‘Franjo 5’ – një referencë ndaj klasikut të Hollivudit ‘Jaës’; dëshmia e imagjinuar e Tugjmanit para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë, duke thënë “E nderuar gjykatë, unë nuk jam gjallë”. Foto kortezi: Lupiga.

Ndoshta në mënyrë josuprizuese, qeveria dhe zyrtarë te HDZ kritikuan Feral, duke e akuzuar atë për raportime antikombëtare në një kohë kur vendi ishte në luftë.

Megjithëse presidenti Tugjman foli pozitivisht për revistën më 1990, ai shpejt ndryshoi ton, duke folur për “një lloj neverie Ferale” që “turpëron Splitin dhe Kroacinë”.

Më 1996, zyra e prokurorit të shtetit nisi një procedim kundër Ivancic dhe gazetares Marinka Culiq për një artikull që pretendonte se Tugjman e pati modeluar konceptin e tij për ripajtimin pas luftës në atë të diktatorit spanjoll Francisko Franko.

Megjithëse procesi u iniciua nga prokuroria, Tugjman, si president, firmosi marrëveshje që hetimi të fillonte.

Në shfaqje të mëvona në media, këshilltari i Tugjman për politikën e brendshme Ivic Pasaliq, i cili e përshkroi Feral si një organ “ultra të majtë dhe anti-kroate”, tha se Tuxhman aktualisht ishte i zhgënjyer nga sjellja e Feral kundër tij, por se ai nuk synonte kurrë që ta ndalonte revistën të qarkullonte.

Ivançiq beson se Tugjman thjeshtë ishte një burrë pa sens humori dhe kishte “probleme personale me satirën si satirë” – dhe rrjedhimisht i bë personazh i përshtatshëm për satirën.

“Në anën tjetër, ajo ishte një epokë pushteti autokratik. Ishte normale që Tugjman të vendoste për çdo gjë – nga futbolli te ekonomia te lufta – dhe në këtë kuptim, ishte normale që ne të përqendroheshim te ai si një simbol i qeverisjes,” shtoi ai.

Montazhi Tugjman-Millosheviq sjell famë botërore

Faqja e parë famëkeqe Tugjman-Millosheviq e vitit 1993; një version i mëvonë me presidentin e Bosnjës Alija Izetbegoviq – reagimi i Feral ndaj Marrëveshjes së Paqes në Dejton. Foto kortezi nga Lupiga dhe Leo Nikolic.

Feral u bë i njohur për fotomontazhet e tij satirike në faqet e para, të cilat shpesh kishin tituj me lojë fjalësh. Faqet e saj të para, së bashku me referencat e marra nga kultura popullore dhe politika e përditshme, zakonisht përmbanin montazhe të zyrtarëve dhe njerëzve të tjerë të fuqishëm.

Për shkak se satiri i Feralit merrej me çështjet më të vështira sociale dhe politike, redaksia e revistës satirike franceze Charlie Hebdo vizitoi dy herë sallën e saj të lajmeve në Split në vitin 1994.

Leo Nikoliq, redaktor dhe dizajner grafiku i Feral që nga numri i parë e deri tek i fundit, kujton se si u botua më 28 dhjetor 1993 numri më i famshëm i revistës, duke treguar Tugjmanin dhe Millosheviqin që përqafoheshin bashkë, gjysmë të zhveshur në shtrat.

Titulli ishte “Për këtë luftuam?” – një referencë për sloganin e famshme të veteranëve partizanë pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte një reflektim ironik për bisedimet e paqes mbi luftën e Bosnjës në Gjenevë, ku morën pjesë Tugjman dhe Millosheviqi.

Nikoliq shpjegoi se një foto e trupave të Ivançiq dhe Dezuloviq në shtrat në apartamentin e Luçiqit iste punuar me fotoshop për kopertinën legjendare.

“Ridizenjimi i këtij fotomontazhi është përsëritur disa herë dhe diçka e ngjashme është bërë së fundmi me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Kjo kopertinë është bërë e zakonshme në rajon dhe gjithashtu në pjesën lindore të zonës europiane,” tha tha Nikoliq.

Kopertina fitoi vëmendjen e mediave botërore dhe një kopje në kornizë u vendos në redaksinë e New York Times, por reagimi i shtetit kroat ishte i shpejtë dhe i ashpër.

Dueli i parë me shtetin

Kopertina e Feral me mesazhin “Ruaje shpinën!” për Ivançiqin ndërsa ai thirrej në ushtri, me kryeredaktorin qe ne fotomontazh e ndjek zyrtari i HDZ-se Drago Krpina, një kritik i ashpër i Feralit; “Ferali të lë të ri”, duke perifrazuar sloganin e kampit të përqendrimit nazist, “Arbeit Macht Frei”. Foto kortezi e Mediacentar Sarajevo dhe Leo Nikolic.

Në prag të Vitit të Ri, oficerët ushtarakë arritën në redaksinë e Feral për të dorëzuar letrat e thirrjes në ushtri për kryeredaktorin Ivançiq. Ata thanë se do të prisnin përpara zyrës që ai të përfundonte punën.

“Nuk më pëlqeu as mendimi për të kaluar natën e Vitit të Ri në një kazermë. Ata pritën para zyrës, por në marrëveshje me një fotoreporter, dola fshehurazi dhe shkuam në Zagreb, sepse doja që kjo gjë të bëhej publike. Para një ndjesi të keqe, sepse pashë se ky ishte një dënim për mua,” shpjegoi Ivancic.

Ivançiq u fsheh në Zagreb disa ditë, ndërsa Feral njoftoi komunitetin ndërkombëtar, pastaj u kthye në Split dhe i tha policisë ushtarake të vinte dhe ta merrte.

Ata e arrestuan, e dërguan në një burg ushtarak për disa ditë dhe e çuan në kazermat Dracevac pranë Splitit, ku ai bëri një kurs të shkurtër ushtarak dhe u lejua të largohej menjëherë pas kësaj.

Dezuloviq shpjegoi se mobilizimi i Ivançiqit ishte në kundërshtim me një marrëveshje që Ministria e Mbrojtjes kishte bërë me shtëpitë mediatike.

“Kjo ishte jashtë praktikës normale dhe, përfundimisht, jo në përputhje me marrëveshjen e botuesve kroatë me Ministrinë e Mbrojtjes, sipas të cilës redaktorët dhe gazetarët kurseheshin nga thirrja për në ushtri, pasi ne gazetarët në fund të fundit ishim në frontin e luftës edhe pa na thirrur në ushtri,” shpjegoi Dezuloviq.

“Përveç kësaj, kjo ishte mënyra më e lehtë për të hequr një armik të brendshëm. E thërret ushtar dhe ai qëllohet për vdekje në frontin e luftës dhe ti e zgjidhe problemin. Do të ishte e vështirë që dikush të më bindte se ata s’po mendonin këtë gjë në rastin e Viktorit,” shtoi ai.

Megjithatë, dalja relativisht e shpejtë e Ivancicit nga kazermat ishte vetëm një fitore e përkohshme për Feralin, pasi shteti shpejt filloi edhe më shumë përpjekje të drejtpërdrejta për të destabilizuar revistën, duke përdorur presione financiare dhe ligjore – presione që do të çonin, në fund, në mbylljen e revistës.

 

Pjesa e dytë e ciklit prej dy pjesësh të BIRN mbi “Feral Tribune” do të publikohet të mërkurën.