Foto: KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk merr pjesë në hartimin e procesit të ‘Vetingut’

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një deklarate ka shprehur qëndrimin institucional për të mos marrë pjesë në Grupin Punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

Mospjesëmarrja e KPK-së vjen pasi Ministria e Drejtësisë nuk është konsultuar fare me KPK dhe ka dërguar në Qeveri draftin final për procesin e vettingut.

“Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu në deklaratë thuhet se koncept dokumenti nuk i është dhënë grupit punues të KPK-së për tu informuar rreth përmbajtjes së këtij dokumenti.

“Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti” thuhet në deklaratë.

KPK-ja sipas deklaratës po e konsideron të njëanshëm qasjen e Ministrisë së Drejtësisë për procesin e vettingut.

“Kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale”, thuhet në deklaratë.

Në fund të kësaj deklarate thuhet se Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.