Hoxhaj: Nuk jemi parti e krijuar në zyra e kafene, por nga lufta

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se nuk ka shpallur kandidaturën për të parin e këtij subjekti për t’i hapur rrugën gjeneratave të reja.

Hoxhaj gjatë konventës zgjedhore të PDK-së tha se nuk janë parti e themeluar nga kafenetë por nga lufta dhe burgjët.

“Nga reshti i parë deri në fund ju jeni parti një parti që ka lindur nga lufta dhe burgjet e errëta. Nuk jemi parti që është krijuar në zyra të nxehta apo në kafene. Më vjen mirë që po i shoh themeluesit e partisë, që janë më në moshë, por që nuk janë dorëzuar. Po shoh edhe shumë të rinj e të reja të cilët e shohin PDK si parti me të kaluar por që ka vizion për Kosovën… jam i sigurt se kryetari dhe presidenti do të kthehen faqebardhë, pranë familjes edhe familjes sonë politike sepse lufta ka qenë . Ne miqt dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpër faza kritike jemi shumë krenar më ta dhe të arritura të tyra dhe sjelljen prej burrështetasit”, tha Hoxhaj.

Ai ftoi të gjithë delegatët që ta mbështesin kryetarin e ri.

Tutje Hoxhaj u shpreh i bindur se PDK-ja do ta rikthejë pushtetin siç tha ai “nga Mitrovica dhe në Prizren”.

Pas tij, Konventa zgjedhore po vazhdon punimet pa prezencën e mediave.

Kandidat i vetëm për kreun e PDK-së është vetëm Memli Krasniqi.

PDK-ja është drejtuar nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si Ushtrues i Detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.