Thaçi, Veseli dhe Selimi nisen për në Hagë

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi sapo janë nisur nga Aeroporti e Prishtinës për të shkuar në Hagë pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar drejtpërdrejt shkuarjen e tyre nga zyrat e EULEX-it e më pastaj në Aeroportin e Prishtinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.

Situatë e njëjtë nuk ka qenë me ish-bashkëpartiakun e Veselit dhe ish-zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili dje u arrestua pas një bastisje disa orëshe nga hetuesit e Speciales.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte lëshuar një njoftim për një propozim-aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.