Bashkëshortja e të vrarit: E kam pa dorasin, e ka godit edhe katër herë
Në Gjykimin ndaj A. S. – i akuzuar, se ‘në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur’ kanë privuar nga jeta V. B., në marketin ‘Interex’, në Podujevë – ka dhënë dëshminë bashkëshortja e të vrarit, Lirie Sylejmani.
Sipas L. Sylejmanit, atë ditë së bashku me bashkëshortin e saj, kishin shkuar për ta regjistuar djalin në çerdhe. E, pasi kishin përfunduar punën në çerdhe, kishin hyrë në marketin ‘Interex’ – për të blerë gjëra ushqimore.
Sipas Dëshmitares, me bashkëshortin dhe djalin katërvjeçar, shkojnë në sektorin e qumështit – kur, papritur, dikush pas shpine shtie me armë zjarri, duke e goditur Bashkëshortin e saj.
E njëjta, deklaroi: ‘se një plumb e kishte goditur edhe atë në pjesën abdominale’.
‘Me t’u rrëzuar në tokë’ – deklaroi dëshmitarja – se: ‘kishte parë personin – që kishte shtënë në bashkëshortin e saj – duke shtënë edhe katër herë të tjera; me një revole tjetër, të cilën e kishte nxjerrë nga çanta’.
,,Kam dëgjuar krisma shumë të mëdha, e kam ni një dhimtë shumë të madhe. Momentin që e kam kthy kryt mbrapa, V. B. veç u kanë i shtrimë në tokë. Në ato momente, mendova për djalin sepse ishte shumë e randë për to,… edhe për disa çaste… edhe u çu në kam… afër meje ishte djali. Dhe, mo nuk e kam parë V. B. E kam pa dorasin. E ka godit edhe katër herë në kokë, me revolen tjetër – që e ka nxjerrë nga çanta.” – tha dëshmitarja.
Sipas saj, nuk dinte përse ka ndodhur ky rast, por kishte dyshime ‘për një rast të vitit 2022’ – në të cilin, ishte plagosur tashmë I akuzuari. I përfshirë kishte qenë edhe Bashkëshorti i saj, por që ishte liruar me vendim gjykate.
Sipas dëshmitares, personi i cili kishte shkrepur armën ka qenë djali i mitur i Të akuzuarit.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas Dosjes së Prokurorisë, I akuzuari A. S. – me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti, që kishte pasur më herët gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V. B. dhe Sh. R. – i pandehur, ka porositur djalin e tij, të miturin L. S., që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V. B.; duke kontribuar thellësisht në privimin nga jeta e tani të ndjerit V. B., e duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.
Sipas Prokurorisë, më 11.9.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A. S. me djalin e tij të mitur L. S. shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’ – që gjendet në katin e parë në Podujevë – nga ku vëzhgojnë rrugën ‘Zahir Pajaziti’. Rreth orës 12:19, vërejnë tani të ndjerin V. B., se hyn në marketin ‘Interex’ – së bashku me bashkëshorten e tij, tani të dëmtuarën L. S., dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.
Në Aktakuzë, thuhet: ‘A. S. me të miturin L. S. dalin nga restauranti – duke zbritur shkallëve. A. S. e orienton të miturin L. S. në drejtim të të ndjerit V. B., i cili vihet në ndjekje të tij. Ndërkaq, A. S. vazhdon për të dalë nga objekti. Në momentin kur, tani i ndjeri V. B., së bashku me bashkëshorten e tij të dëmtuarën L. S. dhe fëmijën e tij, arrin te sektori i produkteve të qumështit… I mituri L. S. i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V. B. (e qëllon në shpinë dhe në qafë). Njëra nga predhat e tejshkon trupin, e tani të ndjerit V. B., dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, L. S’.
Tutje, në Aktakuzë thuhet, se: ‘L. S. kishte filluar të ikte në momentin kur kishte dëgjuar krismën. I mituri L. S. kishte nxjerrë nga çanta revolen tjetër – me të cilën qëllon edhe 4 (katër) herë, në kokën e tani të ndjerit V. B. Ky i fundit, tanimë, ishte i shtrirë në tokë. Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit, tani i ndjeri V. B. vdes në vendin e ngjarjes; e dëmtuara L. S. dërgohet në QKUK, nga plagët e rënda – që pëson’.
Gjithnjë, sipas Aktakuzës: ‘menjëherë pas të shtënave, i mituri L. S. me shpejtësi del nga ‘Interexi’ – e, largohet në këmbë në drejtim të panjohur. I pandehuri A. S. afrohet te vetura e tipit “Mercedes E 200”, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex-it’ – e shkon në shtëpinë e vet, që gjendet në fshatin Gllamnik, në Podujevë; në të cilën edhe është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, janë gjetur e sekuestruar: 1 (një) pistoletë e 1 (një) pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje – me 62 (gjashtëdhjetë e dy) fishekë të pistoletës; si dhe, 20 (njëzet) fishekë të pushkës së gjuetisë e dy antiplumba.
Me këtë i pandehuri A. S. akuzohet, se: ‘në bashkëkryerje me të miturin L. S.’, ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.