Drejtori i Shpend Ahmetit aksionar në biznesin e duhanit

Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për Planifikimin Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se është bashkëpronar në një biznes së bashku me këshilltarin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Abrashi.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për këtë vit, Bashota ka deklaruar se posedon aksione në tri biznese, njëra prej të cilave është fabrika për prodhimin e Duhanit.

Ai ka 4% të aksioneve në biznesin “Premiun Tobaco Group”, që është fabrika e duhanit në Gjilan.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, biznesi “Premium Tobaco Gorupu”, në të cilin Bashota është aksionar, pjesën më të madhe të aksioneve e posedon këshilltari i kryeministrit të vendit, Gazmend Abrashi, i cili posedon 92% të aksioneve, ndërsa 4% të tjera janë në emër të Shkëlzen Bashotës.

Fabrika e Duhanit në Gjilan e njohur si IDGJ Tabacco ishte shitur në vitin 2006 për 5 milionë e 57 mijë euro. Blerësi më vonë ishte ndërruar.

Kjo ndërmarrje, ishte në mesin e ndërmarrjeve që AKP-ja kërkonte kthimin e aksioneve për shkak se nuk ishin plotësuar zotimet e marrë nga investitorët për investime dhe punësim.

Përderisa Hoteli Grand i ishte kthyer AKP-së në pronës, kjo fabrikë kishte shpëtuar pa ju tërheq aksionet.

Më vonë, AKP-ja kishte konstatuar se investitori i ri i kishte realizuar zotimet për investimin e 4 milionë eurove.

50% të aksioneve, Bashota  ka deklaruar se i posedon edhe në komanin “World Comm”, si dhe 33% të kompanisë “Globar Group LLC”.

Bashota përveç këtyre aksioneve, në AKK ka deklaruar se posedon 13 mijë e 200 euro para të gatshme në institucione financiare.