Del në shitje BMW 850i qe i përkiste legjendës së basketbollit, Michael Jordan

Një BMW 850i e vitit 1991 që dikur i përkiste legjendës së basketbollit Michael Jordan është ofruar në shitje përmes ankandit.

Vetura aktualisht shitet nga pronari i dytë dhe i ka përshkuar vetëm 48,280 kilometra në 33 vjet. Michael Jordan e pati blerë këtë veturë krejt të re nga Motor Werks në Barrington, Illinois. Nën kofano është motori 5.0-litërsh V12 i BMW-së që zhvillon 296 kf dhe është i shoqëruar me një transmision manual me 6 shpejtësi. Seti i tufës u zëvendësua në vitin 2017.

Karroseria e veturës është lyer në ngjyrën metalike blu të Mauritius, dhe vetura është modifikuar nga akorduesi i famshëm AC Schnitzer. Mbi të gjenden buzë 17 inç nga akorduesi i lartpërmendur me goma Continental ExtremeContact me përmasa 235/45 në pjesën e përparme dhe 275/40 në pjesën e pasme, të cilat u instaluan vitin e kaluar.

Sediljet dhe panelet e dyerve janë të veshura me lëkurë të lehtë pergamene dhe vetura është e pajisur me ajër të kondicionuar automatik me dy zona, një kasetofon AM/FM dhe një ndërrues CD të montuar në bagazh. Sediljet e përmendura kanë funksionin e memorizimit të pozicionit, ndërsa timoni është i rregulluar edhe në mënyrë elektronike.

Ankandi zgjat deri më 8 janar dhe oferta më e lartë aktualisht është pak më shumë se 60 mijë dollarë./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala