Burri i prokurores Ervehe Gashi, ballafaqohet me video-incizimet

Bajram Gashi, bashkëshorti i prokurores së Prizrenit, Ervehe Gashi, është ulur sërish në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Bajram Gashi po akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprën penale ‘Ushtrim ndikimi.

Në seancën e sotme ndaj Gashit, ka dëshmuar në cilësi të dëshmitarit, ish i akuzuari Rizan Hoxha.

Prokurorja Speciale Ilirjana Qollaku- Tafa ofron disa video/audio incizime për të cilat pjesë e tyre ishte Rizan Hoxha.

Në njërën prej incizimeve dëgjohen duke biseduar Dardan Hoxha me Rizan Hoxhën rreth pranimit të parave nga ana e Bajram Gashit.

“Dardani: A i ka marrë paret Bajrami?

Rizani: Po i ka marrë Bajrami paret…

Dardani: Pse atë ditë ke shujt?

Rizani: O nuk guxoj me fol për shkak të këtij”.

Rizani përgjigjet se gjatë asaj kohe ka qenë i shantazhuar dhe kërcënuar nga Dardan Hoxha dhe vëllai i tij Asdreni, dhe se nuk e dinë se çfarë ka thënë.

“M’kanë shantazhu me video-kaseta duke me thënë se kanë me më dërgu në polici e prokurori”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, ai i ka kërkuar Bajram Gashit që t’i ndihmoj Dardan dhe Sadik Hoxhës, ku do të ketë edhe bakshish për të, por Bajrami nuk ka pranuar.

Prokurorja speciale Ilirjana Qollaku- Tafa ka ofruar edhe një audio incizim tjetër në të cilën zhvillohet një bisedë mes Dardan Hoxhës edhe Rizan Hoxhës.

“Rizami: Kërkush se qet prokurorin, me mujt me djeg edhe unë të kisha nimu…

Dardani: Unë e djegi…

Rizani: Mu lajmërom s`ka problem…

Dardani: Vet e ki dëshmu se Bajrami i ka marrë paret…

Rizani: E dëshmoj dhe se dëshmoj”.

Pas dëgjimit të këtij incizimi, Rizani thotë se: “Kom qit llapsuz qashtu m`ka dal fjala, se kam qenë i shantazhuar “.

Hoxha deklaroi se për shumën e 5 mijë eurove nuk i ka pranuar, por babai i Dardan Hoxhës, Sadik Hoxha ka insistuar që t`i pranoj.

“M`ka lut Sadiku merri e unë i thojsha jo. Unë gjashtë muaj nuk i kam pranuar ato para por babai i tij Sadiku ma ka bo merri e bojau qefin këtyre rrugaçëve e maj paret ti”, tha Hoxha.

Gjithashtu, në një audio incizim tjetër sipas prokurores dëgjohet Bajrami Gashi duke diskutuar me Dardan Hoxhën për familjen e Rizam Hoxhës.

Sipas prokurores, Bajram Gashi i thotë Dardanit ‘çka me i bo Artës, Shpresës e Ardianit se për këto unë e di çka boj’.

Rizami thotë se Dardan Hoxha ia ka kërcënuar të birin e tij, Ardianin.

Prokurorja speciale Ilirjana Qollaku-Tafa thotë se “Rizani vetë e ka cekur në këto video dhe audio incizime se nuk dëshmon dhe se ka frikë, atëherë kjo po provohet edhe sot me deklaratën e tij e cila është në kundërshtim më të gjitha provat materiale”.

Në pyetjet nga avokati i të akuzuarit Bajram Gashi, Gëzim Kolgeci se a ka pasur ndonjë urdhër nga Bajram Gashi për të kërkuar para nga Dardan e Sadik Hoxha dhe se a ka biseduar ndonjëherë me prokuroren Ervehe Gashi për këtë çështje, Rizani përgjigjet” jo asnjëherë”.

Gjyqtari Kujtim Krasniqi për marrëveshjen e lidhur mes Rizanit dhe Prokurorisë për veprën penale “Ushtrim ndikimi” në bashkëkryerje me Bajram Gashi, me të cilën dënimi iu është shqiptuar Rizanit, e pyet Rizanin se a ka qenë në dijeni për marrëveshjen të cilën e ka lidhur.

“Unë e kam lidhur marrëveshjen me prezencën e avokatit Sylë Hoxha. Unë se kam lexuar marrëveshjen por avokati e ka lexuar dhe ma ka sqaruar marrëveshjen se unë kam me u dënu 28 mijë euro, dhe pastaj e kemi nënshkruar. Bajram Gashi s’është përmend, është përmend aty vetëm unë Dardan dhe Sadik Hoxha”, është përgjigjur Rizani.

Trupi gjykues aprovon propozimin e mbrojtësit Gëzim Kolgeci që në seancën e ardhshme të thirret në cilësi të dëshmitares prokurorja Ervehe Gashi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 30 maj 2022.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër burrit të prokurores Ervehe Gashi, Bajram Gashit dhe dy personave të tjerë.

Aktakuza u ngrit pas hulumtimit të publikuar në emisionin ‘KallxoPernime’.

Përpos burrit të prokurores, në këtë rast është ngritur aktakuzë edhe ndaj Rizan Hoxhës dhe Dardan Hoxhës të cilët shihen të video filmimet e publikuara, duke i numëruar paratë të cilat ishin të destinuara për ndikim në lëndë penale.

Rizan Hoxha kishte lidhur marrëveshje me Prokurorinë për veprën penale ‘Ushtrim ndikimi’, me të cilën i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 28 mijë euro.

Bajram Gashi po akuzohet nga Prokuroria Speciale se kanë kërkuar para nga Dardan Hoxha në zyrën e tij dhe me këtë rast kanë kryer ushtrim ndikimi.