Foto: KALLXO.com

Gjykimi i burrit të prokurores Ervehe Gashi, dëgjohet dëshmia e të bashkakuzuarit

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi për ushtrim ndikimi kundër Bajram Gashit, bashkëshortit të prokurores së Krimeve të Rënda në Prizren, Ervehe Gashi.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohen edhe Rizam Hoxha dhe Dardan Hoxha.

Në seancë, për herë të parë u dëgjua në cilësi të dëshmitarit i bashkakuzuari, Dardan Hoxha, i cili kishte rrëfyer ekskluzivisht në KALLXO.com për aferën e cila përfundoi me aktakuzë.

Dëshmitari Hoxha deklaroi para trupit gjykues për momentet kur sipas tij kishin filluar presionet.

“Rizami vjen në zyrën time duke më bërë presion, e i cili më implikon edhe në aferat e tyre korruptive. Ai mi ka kërku 6 mijë euro për me ma lehtësu veprën, mirëpo unë nuk i kam kërku me më liru nga përgjegjësia penale, por vetëm kërkoja kualifikimin ligjor të veprës penale, ashtu siç kishte kërku edhe avokati im”, tha Dardan Hoxha, duke përmendur emrin e të akuzuarit tjetër në këtë rast penal, Rizam Hoxha.

Tutje dëshmitari deklaroi se kur ndodhej në paraburgim, Rizam Hoxha i kishte kërkuar të afërmve të tij para në vlerë deri në 5 mijë euro.

“Në kohën kur isha në masën e paraburgimit, Rizami kishte shkuar edhe tek të afërmit e mi, dhe u kishte kërkuar para, herë 3 mijë euro e herë 5 mijë euro”, tha dëshmitari.

Hoxha tregoi para Gjykatës momentet kur ia kishte dhënë paratë Rizam Hoxhës në zyrën e tij.

“Në zyrë ia kam dhënë 1 mijë euro ndërsa herën tjetër ia kam dhënë 5 mijë euro. Kur ia dhashë  paratë, i thash ‘mos po më mashtroni dhe po më kërkoni hala para’. Rizami më tha: “Me kaq kryhet kjo punë dhe ti nuk ki me shku në burg’”, deklaroi Dardan Hoxha.

Sipas dëshmitarit, pasi ia kishte dhënë paratë Rizam Hoxha i kishte thënë se nuk do të ngritej aktakuza.

“Rizami më ka thënë se prokurorja nuk do ta ngrisë aktakuzën, ka me ngre zhag deri të vjetërsohet, deri në fund të vitit 2017, vetëm nëse i bëjnë presion kolegët e prokurores”, shtoi dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij, Hoxha tha se përveç shumës prej 6 mijë euro ishte detyruar të paguante edhe fatura të tjera si ato ushqimore.

“Një darkë në Reqan, ku kanë marrë pjesë Rizami, Bajrami dhe bashkëshortet e tyre, e cila ishte në shumën prej 85 euro. Si dhe, Rizami kishte pasur një lokal me djathë, ku prokurorja Ervehe Gashi kishte blerë aty në shumën diku rreth 100 euro, dhe isha i obliguar që t’i paguaja”, tha Hoxha.

Hoxha i tha trupit gjykues se për të gjitha këto i ishte thënë se ka qenë në dijeni prokurorja Ervehe Gashi.

“Ajo ka qenë plotësisht në dijeni. Në shpalljen e aktgjykimit, kur unë fillova me fol në sallë, dhe para se me ardhë gjyqtarët, prokurorja e ul kryet dhe e lëshon sallën sepse unë i thash ‘unë po shkoj në burg po pas meje do të vijnë edhe dy a tre’, pasi ajo nuk ishte ne dijeni se unë kam incizime”, tha Dardan Hoxha.

Dëshmitari shtoi se pasi i kishte njoftuar se kishte incizime në lidhje me këtë rast, atij i ishte kërkuar që t’i fshinte duke i thënë se prokurorja përndryshe nuk do ta apelonte vendimin.

“Të lutem fshiji videot. Prokurorja nuk do të ushtrojë ankesë, po ja u dho besën e Zotit. Pasha krejt kishat dhe xhamiat se bashkëshortja ime prokurorja nuk do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit, për këtë po ja u jepi besën vetëm nëse kryeprokurori i bënë presion, dhe e merr penallti’, tha Hoxha t’i ketë thënë Bajram Gashi, burri i prokurores Ervehe Gashi.

Burri i prokurores Ervehe Gashi po akuzohet për ushtrim ndikimi në lidhje me një rast, i cili ishte duke u hetuar nga bashkëshortja e tij.

Bajram Gashi po akuzohet nga Prokuroria Speciale se së bashku me Rizam Hoxhën, i cili shihet te video-filmimet e publikuara, duke i numëruar paratë të cilat ishin të destinuara për ndikim në lëndë penale.

Aktakuza u ngrit në mars të vitit 2021 pas hulumtimit të publikuar në emisionin ‘Kallxo Përnime’.