Bajram Gashi, burri i prokurores Ervehe Gashi në seancë gjyqësore | Foto: KALLXO.com

Dënohet me 30 mijë euro gjobë burri i prokurores Ervehe Gashit

Bajram Gashi, bashkëshorti i prokurores Ervehe Gashi është dënuar me 30 mijë euro gjobë për veprën penale ushtrim i ndikimit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër burrit të prokurores Ervehe Gashi, Bajram Gashit dhe dy personave të tjerë.

Aktakuza u ngrit pas hulumtimit të publikuar në emisionin ‘KallxoPernime’.

Përpos burrit të prokurores, në këtë rast është ngritur aktakuzë edhe ndaj Rizan Hoxhës dhe Dardan Hoxhës të cilët shihen të video filmimet e publikuara nga Kallxo Pernime, duke i numëruar paratë të cilat ishin të destinuara për ndikim në lëndë penale.

Rizan Hoxha kishte lidhur marrëveshje me Prokurorinë për veprën penale ‘Ushtrim ndikimi’, me të cilën i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 28 mijë euro.

Po ashtu edhe i akuzuari Dardan Hoxha kishte lidhur marrëveshje me prokurorinë për pranim fajësie dhe ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë.

Bajram Gashi po akuzohet nga Prokuroria Speciale se kanë kërkuar para nga Dardan Hoxha në zyrën e tij dhe me këtë rast kanë kryer ushtrim ndikimi.

Lajmet për këtë rast mund ti lexoni në këtë LINK.