Dëshmi interesante në dosjen ndaj burrit të prokurores Ervehe Gashi

Dosja ndaj  Bajram Gashi, burri i prokurores Ervehe Gashi dhe të akuzuarve Rizam Hoxha e Dardan Hoxha  ka vazhduar të gjykohet sot në gjykatën e Prishtinës.

Kallxo Pernime kishte publikuar hulumitimin “Pazaret me hetimet”, ku janë publikuar video incizime të bashkëshortit të prokurore Ervehe Gashi, Bajram Gashi ishte takuar me disa persona që ishin duke u hetuar nga prokuororja Gashi.

Në seancën e mbajtur sot u morën në pyetje si dëshmitar Asllan Fanaj dhe Bardh Gashi, djali i Bajram Gashit.

Hulumtimi i KALLXO.com për “Pazaret me Hetimet”, prokurorja Ervehe Gashi në konferencë

Sipas deklarimit të tij, Asllan Fanaj në rastin konkret kishte shërbyer si ndërmjetësues në zgjidhjen e mosmarrëveshjes se lindur mes të akuzuarave.

Asllan Fanaj deklaroi që pasi mori vesh për mosmarrëveshjen mes të akuzuarve, mori iniciativën që të ndihmoj në zgjidhjen e këtij konfliktit. Dëshmitari edhe me parë kishte shërbyer si ndërmjetësues në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes personave të tjerë.

Sipas dëshmitarit Asllan Fanaj, i akuzuari Rizam Hoxha kishte marrë 6,000 euro nga i akuzuari Dardan Hoxha në emër të të akuzuarit Bajram Gashi, pa dijeninë e këtij të fundit.

Gjithmonë sipas dëshmitarit, Rizam Hoxha, ato para i kishte përdorur në biznesin e tij për qumështore, e jo për t’ia dhënë Bajram Gashin siç i kishte thënë Dardan Hoxhës.

Ai gjithashtu thekson se në lidhje me rastin në të cilin ishte prokurore, gruaja e Bajram Gashit, Bajrami kishte thënë se nuk do të ushtronte ndikim.

Sipas tij, prokurorja Ervehe Gashi do të ankohej ndaj aktgjykimit nëse do ta shihte të nevojshme.

“Nëse do të këtë nevojë për ankesë, do të bëj ankesë, nëse nuk ka nevojë për ankesë, nuk do të bëj ankesë”, kishte thënë Bajrami sipas dëshmitarit Asllan Fanaj.

Në lidhje me marrjen e tij në pyetje në prokurori, dëshmitari Fanaj ndër të tjera tha “prokurori më ka thënë se a je ti Anton Ceta për pajtime?! Këto gjana i zgjidhin institucionet e jo njerëzit si ti”, tha ne Gjykatë dwshmitari Fanaj.

Gjithashtu, gjithmonë sipas dëshmitarit, pas dhënies se dëshmisë, prokurori i kishte thënë, – “Mirë të paska msu Bajram Gashi me folë”.

Pastaj vazhdoi marrja në pyetje e Bardh Gashit, djalit të Bajram Gashit në cilësinë e dëshmitarit.

Bardh Gashi tha para Gjykatës se në shtëpinë e tij kishin ardhur i akuzuari Dardan Hoxha me Lulzim Bytyqin.

Dardani i kishte thënë dëshmitarit që Rizam Hoxha ka marrë borxh në emër të Bajram Gashit.

Atë natë, përmes rrjetit social “Facebook” Dardan Hoxha i kishte shkruar të njëjtat fjalë dëshmitarit Bardh Gashit. Po atë natë, dëshmitari kishte njoftuar për këtë ngjarje babain e tij Bajram Gashin, i cili në atë kohë ishte në Mal të Zi.

Dëshmitari Bardh Gashi deklaron se Sadik Hoxha, i cili është babai i Dardan Hoxhes, i kishte kërkuar falje për veprimet e djalit të tij duke i thënë – “Më fal për çka ka bërë ky gomari jem”.

Në lidhje me rastin, dëshmitari insiston që babai i tij nuk ka pasur kurrfarë dijenie për paratë që i akuzuari Rizam Hoxha i kishte marrë nga i akuzuari Dardan Hoxha në emrin e babait të tij, Bajram Gashit.

Në seancën e ardhshme do të merren në pyetje të akuzuarit Rizam Hoxha dhe Dardan Hoxha. Kjo seancë është caktuar të mbahet me datë 14 shkurt në ora 09:30.