Burri i prokurores Ervehe Gashi ballafaqohet me rrëfimin e dëshmitarit ku ishte biseduar për mbylljen e një rasti penal

 

Bajram Gashi, bashkëshorti i prokurores së Prizrenit, Ervehe Gashi, është ulur sot në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e sotme ndaj Gashit, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale për ushtrim ndikimi, ka dëshmuar dëshmitari Mifail Ajazaj.

Prokurorja e rastit Ilirjana Qavolli e pyeti dëshmitarin lidhur me takimin në mes të Bajram Gashit, Sadi, Dardan, Rizan Hoxhaj në pompën e derivateve.

Dëshmitari Ajazaj tha se takimi ka qenë spontan dhe se për këtë takim Rizan dhe Sadik Hoxhaj kanë shkuar në shtëpinë e tij për ta marr.

“Takimi aty ka qenë spontan, i thirrur nga Sadik Hoxha, dhe Rizan Hoxhaj, të cilët më kanë marrë nga shtëpia dhe kemi shkuar te pompa e derivateve”, tha Ajazaj.

Dëshmitari tutje tha se gjatë takimit e ka marr vesh edhe arsyen pse është organizuar ky takim.

“Aty kam dëgjuar për rastin për çka do të bëhet fjalë. Fjalë se Dardani, kanë shkuar në  shtëpi te Bajrami për të bërë presion apo kërkesë te Bajrami, që mundësisht Bajrami për të ndikuar te bashkëshortja e tij për lëndën e Dardan dhe Sadik Hoxhaj”, tha dëshmitari Ajazaj.

Pos Dardan Hoxhajt dhe Bajram Gashit në këtë takim sipas dëshmitarit kanë qenë edhe disa persona tjerë.

“Në këtë takim, prezent kanë qenë Bajram Gashi, Sadik Hoxhaj, Dardan Hoxhaj, djali i Bajramit, Bardhi dhe pronari i pompës së derivateve, Asllan Fanaj”, tha ai.

Dëshmitari tregoi se në këtë takim nuk është folur për ndonjë shumë të të hollave.

“Jo nuk është diskutuar kjo çështje, e pranimit të hollave”, tha ai.

Gëzim Kolgeci avokati i Bajram Gashit e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur tensione gjatë takimit në mes palëve.

“Jo nuk ka pasur konflikt e as tension midis palëve në këtë takim”, tha dëshmitari.

Avokati e pyeti dëshmitarin Ajazaj edhe për rolin e Asllan Fanajt në këtë takim.

Ajazaj tha se “Asllan Fanaj vetëm e ka ofruar lokalin e tij si vend takim midis palëve”.

“Jo nuk e kam ditur për rolin  e Asllanit në këtë takim, ai vetë, e ka ofruar vendin e takimit”, tha ai.

Dëshmitari në fund është shprehur se pas publikimit të videove nëpër media vetëm sa nuk janë rrahur në mes veti me palët e apostrofuara në këtë çështje.

“Unë pas publikimit te videos në media, ne veç sa s’jemi rrahur në mes veti, unë i kam akuzuar Rizanin, Sadikun, Daradanin, për arsye se përse mem pru në situatë që unë m`u përfol në media pa pas asnjë gjë aty”, ka thënë dëshmitari.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mars të këtij viti kishte ngritur aktakuzë kundër burrit të prokurores Ervehe Gashi, Bajram Gashit dhe dy personave të tjerë, pas hulumtimit të publikuar në ‘KallxoPernime’.

Përpos burrit të prokurores, në këtë rast është ngritur aktakuzë edhe ndaj Rizam Hoxhës dhe Dardan Hoxhës të cilët shihen të video filmimet e publikuara, duke i numëruar paratë të cilat ishin të destinuara për ndikim në lëndë penale.

Bajram Gashi po akuzohet nga Prokuroria Speciale se kanë kërkuar para nga Dardan Hoxha në zyrën e tij dhe me këtë rast kanë kryer ushtrim ndikimi.

Seancat e radhës pritet të mbahen me 4 dhe 14 shkurt të vitit 2022 ku për dëshmitarë janë thirrur: Bardh Gashi, djali i Bajram Gashit, Asllan Fanaj, Sadik Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK

 

Burri i prokurores Ervehe Gashi, deklarohet se ndihet i pafajshëm (VIDEO)