Ata që rekrutuan kosovarët në terrorizëm enden të lirë

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të gjejnë diagnozën e saktë pse shumë kosovarë përfunduan në luftërat e huaja në Siri dhe Irak.

Të dhënat e policisë tregojnë se mbi 400 njerëz ishin pjesë e këtyre luftërave mbi 100 prej tyre janë rikthyer në Kosovë ndërsa rreth 190 vazhdojnë të jenë në zonat e luftës prej të cilëve rreth 50 gra dhe 40 fëmijë. Të dhënat na institucionet e rendit tregojnë se në burxhet e vendit mbahen dhjetëra të arrestuar pjesa më e madhe e të cilëve ish luftëtarë por jo edhe persona të dyshuar për nxitjen dhe financimin e terrorizmit.

Dy grupe të mëdha të imamëve të arrestuar me akuzat për nxitje të ekstremizmit të dhunshëm janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat përderisa ndër të vetmit të dënuar për nxitje të akteve terroriste është imami Zekirja Qazimi.

Në dy strategjitë atë të parandalimit dhe luftimit të terrorrizmit janë përmendur një varg shkaktarësh por pa i specifikuar saktë se cili ishte motivi që i shtyu kosovarët të jenë pjesë e luftërave.

Bazuar në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, që nga kjo periudhë numri i kosovarëve që kanë shkuar drejtë konflikteve në Siri dhe Irak është 403, sipas statistikave jo zyrtare 78 prej tyre janë vrarë dhe 190 prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në këto zona të konfliktit ku në mesin e tyre ka gra dhe fëmijë,  ndërsa rreth 135 prej tyre janë kthyer në Kosovë ku po përballen me drejtësinë.

Krahasuar me vitet 2015-2016 organizatat terroriste si IS dhe Al-Nusra fituan territore dhe numri i kosovarëve pjesëmarrës në këto konflikte u rrit dukshëm. Viti 2018 shënon rënie drastike të numrit të kosovarëve që marrin pjesë në këto luftëra. Rekrutimi dhe përvoja luftarake e individëve që janë kthyer në Kosovë gradualisht është shndërruar në mundësi potenciale të terrorizmit brenda territorit të Kosovës.

Në dy vitet e fundit katër raste të sulmeve terroriste janë parandaluar nga autoritet, e sigurisë, e që organizatorë kanë rezultuar të jenë individ të kthyer apo të cilët vazhdojnë të jenë në Siri dhe Irak.

Historia e grupit të madh

Grupi më i madh i arrestuar për planifikim të sulmeve në Kosovë ndrlidhet me ish prijësin e shqiptarëve në IS Lavdrim Muhaxheri. Terroristi që u vra para një viti përshkruhet në aktakuzën e prokurorisë Speciale si përkrahës i një grupi të madh që planifikuan sulme terroriste ndaj KFOR kishave Serbe me motive të qarta ta destabilizonin Kosovën duke përdorur konfliktet etnike.

https://kallxo.com/gjnk/ekskluzive-dosja-e-prokurorise-per-planin-e-isis-it-per-ta-destabilizuar-kosoven/

Sipas hulumtuesit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë Skender Përteshi, rreziku i sulmeve terroriste është i pranishëm dhe se duhet bërë më shumë nga institucionet rreth integrimit të këtyre personave në shoqëri. Sipas tij rreziku edhe më i madh qëndron tek ata individë që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në këto luftëra dhe simpatizojnë këto grupe terroriste.

Pjesëmarrja e kosovarëve në luftërat në Siri dhe Irak dallon në masë të madhe nga komunat. Numri më i madh vjen nga komuna e Prishtinës, Gjilanit, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Prizrenit dhe Vitisë.

Sipas Lulzim Peci-t nga KIPRED në parandalimin e ideologjive radikale kanë luajtur rol shumë të madh edhe Këshillat e Bashkësitë Islame të komunave. Ai thotë që Suhareka është njëra ndër komunat ku nuk ka asnjë pjesëmarrës në konfliktet në Siri dhe Irak dhe nga Podujeva vetëm një.

Sipas tij motivi që i shtyhen këta individ të marrin rrugën deri tek këto konflikte nuk janë shkaqet ekonomike, por ideologjia. Sipas  Pecit edhe pas rikthimit të disa prej pjesëtarëve të IS në Kosovë është e pamundur të komunikohet me ta dhe se nuk njohin asnjë lloj komunikimi.

Sfidat e rikthimit

Me mbi 120 të rikthyer mekanizmat e risocializimit në Kosovë janë gjetura para në sfide të madhe. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale në Komuna në fillimet e tyre kanë pasur përvoja të pakta për të risocializuar personat e arrestuar dhe dënuar për terrorizëm.

Të dhënat nga organet e sigurisë tregojnë se mbi pesë persona të arrestuar pas lirimit të tyre nga paraburgimi janë rikthyer në zonat e luftës ku janë vrarë apo vazhdojnë të kryejnë aktivitete terorriste. Njëri prej të ikurve është pjesë e grupit të njohur si grupi i “Badovcit”

Nëse marrim për bazë numrin e ekstremistëve krahasuar me numrin e banorëve, komuna e Hanit të Elezit dhe ajo e Kaçanikut avancojnë dukshëm. Numri i qytetarëve nga komuna e Kaçanikut që kanë shkuar në luftërat në Siri dhe Irak është 33, ku 3 nga ta janë vrarë, 18 prej tyre janë kthyer dhe pjesa tjetër mbeten atje.

Kryetari i kësaj komune z. Besim Ilazi është i mendimit se shkaqet ekonomike janë ato që kanë shtyrë qytetarët e kësaj komune të marrin këtë rrugë. Ai thotë që disa prej tyre janë kthyer dhe se janë penduar për veprimet më përjashtim të  një rasti.

I pyetur së çfarë ka bërë komuna e Kaçanikut rreth integrimit të këtyre personave, ai pranon që deri tani nuk është bërë asgjë sa i përket integrimit të këtyre personave duke pohuar që institucionet qendrore janë më kompetente rreth integrimit të këtyre personave.

Përveç komunës së Kaçanikut, edhe komuna e Hanit të Elezit ka problem me trajtimin e të rikthyerve. Hulumtimi i emisionit Drejtësia në Kosovë tregon që dy këto komuna kanë problem me trajtimin e këtyre personave dhe familjeve të tyre. Në këto dy komuna ka mungesë të psikologëve nëpër shkolla që merren me trajtimet e të rikthyerve si dhe familjeve të tyre. Po ashtu në këto komuna nuk është zhvilluar asnjë lloj aktiviteti që për qëllim ka integrimin në shoqëri.

Njëjtë me këto komuna qëndrojnë edhe komunat tjera. Arsyetimi i udhëheqësve politik të këtyre komunave është mungesa e kapaciteteve si mekanizma lokal, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë institucioneve qendrore, e këto të fundit nuk pranuan që të japin përgjigje rreth kësaj çështje. Sipas Lulzim Peci-t përgjegjësia bie tek të gjitha nivelet e institucioneve, shoqëria, familja deri tek individi.

Nga komuna e Hanit të Elezit janë edhe A.B. dhe J.B. të dënuar me nga dy vjet e katër muaj burgim, të cilët po presin vendimin e dënimit nga Gjykata e Apelit.

Për emisonin Drejtësia në Kosovë ata kanë preferuar të qëndrojnë anonim me arsyetimin se janë lodhur nga mediat. Ata  thanë që pas rikthimit ata janë përballur me shumë vështirësi, duke filluar nga paragjykimi rreth tyre dhe mundësitë për punësim. Sipas tyre e gjithë çfarë kanë bërë institucionet shtetërore janë dhurimi i disa pakove ushqimore, e që për trajtimet psikologjike e psikiatrike as që bëhet fjalë. Shumica prej këtyre të rikthyerve sipas kryetarit të Hanit të Elezit kanë kushte të vështira jetese dhe se nuk i është ofruar mundësia të kenë marrëdhënie pune.

E përderisa çdo ditë diskutohet për tema kombëtare, ri integrimi i këtyre personave po del të jetë sfidë për ta në mënyrë që të krijojnë një jetë të re. E problemet e tilla vazhdojnë ta përcjellin shoqërinë kosovare, ku të rikthyerve nuk po u mbetet gjë tjetër pos të kthejnë sytë nga ata që i radikalizuan.

(Autori është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) )