Planet e Besim Ilazit për trajtimin e sfidave të sigurisë në Kaçanik 

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, kishte thënë se Kaçaniku ishte etiketuar padrejtësisht me terme për shkak se 22 qytetarët e kësaj komune kishin shkuar për të luftuar në luftrat e huaja.

Në ‘Debat Përnime’, Ilazi kishte thënë se nga viti 2015 nuk ka pasur asnjë rast që ndonjë qytetar i Kaçanikut ka marrë pjesë në ndonjë luftë të huaj.

“Kam thënë dhe po e përsëris, padrejtësisht është etiketuar Kaçaniku me një term siç është quajtur. Duke e ditur se nga Kaçaniku kanë shkuar 22-23 njerëz dhe nuk mund të identifikojmë qytetarët e Kaçanikut me një person. Ajo çka kemi bërë bashkarisht me kryetarin e Bashkësisë Islame, me komandatin e Policisë dhe me mirëkuptimin që e kemi pasur nga qytetarët, kemi arritur që nga viti 2015 të mos kemi asnjë rast të shkuarjes ose të tentim shkuarjes të të rinjëve në vatrat e luftës” – kishte thënë kryetari i Kaçanikut në DebatPernime. 

Më shumë se një vit që nga rizgjedhja në krye të Kaçanikut, siguria publike vlerësohet të jetë e qetë në këtë komunë.

Shefi i kabinetit të Ilazit, Ylber Bajra, thotë se për vitin 2023 janë ndarë 160 mijë euro për sigurinë publike, ku përfshihen ndriqimi publik, kamerat e sigurisë dhe trajtimi i qenve endacakë.

Buxheti i miratuar i Kaçanikut për vitin 2023 është 10 milionë e 674 mijë euro.

Mirëpo, edhe pse ka të angazhuar pesë psikolog nëpër shkollat e komunës, Bajra vlerëson se nevoja për psikogol nëpër shkolla është me madhe.

“Sigurisht që komunat që kanë nevojë për psikolog. Nëse do të pyetësha unë, çdo shkollë do duhej të kishte psikolog. Rrethanat, kushtet që po jetojmë fëmijët tanë, kjo katandisje që ka ndohë dhe spo mujim me kontrollu, gjitha shkollat kanë në voje për psikologë” – ka thënë Bajra për KALLXO.com.

Tutje, Bajra thotë se në Kaçanik që nga viti 2014 nuk është regjistruar asnjë rast i theksuar i ekstremizmit, terrorizmit, apo radikalizmit. Ai ka thënë se në të kaluarën Kaçaniku është identifikuar si çerdhe e këtyre ekstremizmave, mirëpo sipas tij, tash e sa vite nuk ka raste tëtilla.

Ai bën të ditur se në komunën e Kaçanikut janë mbajtur edhe aktivitete, që e kanë trajtuar këtë temë.

“Po ka pasur disa aktivitete, disa trajnime me theks të veçantë e kam nda një projekt që ka qenë i financuar prej Bashkimit Evropian dhe e realizuar nga Rule of Democracy in Kosovo, trajnimi është mbajtur në vitin 2021. Në këtë trajnim kanë qenë të inkorporuar edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi dhe OJQ-të të ndryshme të rinisë, pasi që titulli i projektit ka qenë ‘Mobilizimi rinor për parandalim të hershëm të ekstremizmit’” – ka thënë Bajra për KALLXO.com.

Por sipas Bajrës, në lidhje me ekstremizmin, nuk mund të ketë rezultate nëse, sipas tij, nuk preket problemi në bazë.

“Por kur flasim për projekte të natyrave të tilla, gjithmonë kam potencuar se as qeveria, as niveli lokal, as agjencionet e ndryshme apo OJQ-të, nuk munden me arritë rezultate nëse nuk e prekin temën në bazë, nëse në takime apo tryeza të tilla nuk ftohen përveç përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, edhe individë apo familje që kanë pridispozita të lajthitjes në këtë fushë. Në qoftë se nuk komunikoni drejtpërdrejtë me ato familje, me ata të rinjë dhe të reja pa marrë parasysh moshën edhe me kqyr ku po iu dhemb, pse po iu dhemb” – thotë Bajra.

“Kanë probleme të natyrave sociale, ekonomike, të shkollimit, është problem sepse tash në Kosovë nuk mundemi me folë për parandalim, jemi në situatë të shërimit. Nuk mundesh me risocializu dikënd nëse nuk komunikon me ta”.

 Gjatë vitit 2022, Komuna e Kaçanikut ka investuar rreth 110 mijë euro për ndriçimin publik, ndërsa sipas shefit të kabinetit të kryetarit, Ylber Bajra, një shumë e përafërt është ndarë edhe në 2023-ën.

“Po në ndriqim publik gjatë vitit 2022 kemi investuar 110 mijë euro, janë projekte që impelentoheen çdo vjet, thuajse çdo vjet shuma e investimit është e njejtë. Në përgjithësi territori i komunës është i mbuluar me ndriqim publik, kemi disa zona që sivjet mbulohen në tërësi” – thotë Bajra.

Kurse në lidhje me kamerat e sigurisë, Kaçaniku i ka të mbuluar dy rrugët kryesore të qytetit, si dhe të gjitha objektet shkollore.

“Komuna e Kaçanikut ka implementuar projektin për vendosjen e kamerave të sigurisë në dy rrugë kryesore të qytetit, pasi Kaçaniku është i vogël. Vitin e kaluar Drejtoria e Arsimit ka investuar në vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha objektet shkollore. Është një projekt që është përkrahur nga të gjitha institucionet për arsye të sigurisë” – ka bërë të ditur Bajra për KALLXO.com.

Si në shumicën e komunave të Kosovës, edhe në Kaçanik, qentë endacakë janë shqetësësim dhe një problem në vete për autoritetet lokale.

Ylber Bajra ka thënë se për trajtimin e tyre, Komuna ka ndarë 19 mijë euro për periudhën 2021 – 2023, si dhe ka krijuar një grup punues.

“Edhe Kaçaniku ka telashe me qentë endacakë, komuna jonë për periudhën 2021 – 2023 ka ndarë një shumë prej 19 mijë eurove për trajtimin e tyre. Nuk mundemi me u lavdu se e kemi tejkalu këtë krizë, sepse ndoshta qendrat që merren me trajtimin e qenve endacakë kanë krijuar njëfarë monopoli në nivel të vendit, i trajtojnë qentë endacakë në Kaçanik për shembull, për një periudhë i marrin i qojnë në një komunë tjetër, pastaj prej komunës tjetër i kthejnë prapë në Kaçanik. Kështu që po na përsëritet situata. Përndryshe kemi krijuar një grup punues që merret me këtë temë” – ka thënë Bajra.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Kaçanikut, e vlerëson si të qetë në përgjithësi situatën me sigurinë publike në Kaçanik. Ai thotë se Kaçaniku është një provincë e vogël dhe se zakonisht nuk ka ndonjë shqetësim madhor.

“Komuna e Kaçanikut njihet si një provincë e vogël, ku shumica e banorëve njihen në mes vete dhe nuk kemi ndonjë shqetësim madhor, që ka të bëjë me temën me sigurinë publike. Normalisht nuk dallojmë shumë me komuna të tjera, ku ka raste të devijimit të fëmijëve në shkolla, mos trajtimi i tyre ashtu siç duhet, si prej mësuesve, drejtorëve, prindërve. Alkooli,droga ndoshta nuk janë të theksuara si në qendrat e mëdha, megjithatë janë prezentë në Komunën e Kaçanikut” – ka thënë Bajra për KALLXO.com.

Komuna e Kaçanikut për vitin 2023 ka ndarë 936 mijë euro për investime kapitale në sektorin e Shërbimeve publike, mbrojtje civile dhe emergjenca.