Foto: Kallxo.com

Agim Bahtiri thumbon Ramiz Lladrovcin e Dardan Molliqajn

Aderimi i Agim Bahtirit nga AKR-ja në Vetëvendosjs, ka ngjallur reagime të ndryshime e mes tyre edhe ironizime nga anëtarët e partive të tjera.

Bahtiri ka reaguar sot pas ironizimit të Dardan Molliqajt të PSD-së, për të cilin ai kujton kohën kur Molliqaj e kishte vlerësuar lartë qëndrimin e tij.

“Unë i jam falënderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për lidhjen e koalicionit të VV-së më mua si kryetar komune në vitin 2016, ku z. Molliqaj ishte personi kryesor që e ka negociuar marrëveshjen dhe që e ka vlerësuar lartë punën time, ku ndër të tjera pat thënë: “E kemi vlerësuar qëndrimin e tij dhe e vlerësojmë edhe sot, besojmë që është i vetmi person në institucionet e Republikës së Kosovës që ka pas një qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të fuqishëm”, thuhet në reagimin e kryetarit të Mitrovicës.

Fjalëve të zyrtarit të PSD-së sa i përket “mandat i vjedhur”, Bahtiri thotë së Mitrovicën e ka fituar për atë që ai i ka përfaqësuar dhe jo fal partisë.

“Sa i përket çështjes së mandatit të fituar me AKR-në, ai, partitë politike dhe gjithë qytetarët e Kosovës e dinë se unë jam votuar si individ dhe besimi më është dhënë si Agim Bahtiri, sepse sa për AKR as 5% nuk i kisha marrë, gjë të cilën rezutati i zgjedhjeve të parakohëshme nacionale do ta vërtetoj së shpejti”, ka shkruar tutje në “Facebook”.

Gjithashtu, një ditë pas aderimit kishte shkruar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në një koment në Facebook të shoqëruar me fotografinë e famshme të Bahtirit me drejtues të PDK-së- përfshirë edhe Kadri Veselin- në një tavolinë me mish, Lladrovci ironizoi duke thënë se shpreson që Bahtiri në LVV të gjejë persona “si vetveten me vlera jashtëtokësore”.

Bahtiri në postimin e tij i ka dërguar një “porosi” edhe Ramiz Lladrovcit.

“E kam edhe një porosi për Ramiz Lladrovcin, se unë nuk them që kam as vlera të vogla, as shumë të mëdha e as jashtëtokësore siç i quan ai, por mendoj se kam vlera mesatare e normale, që janë të mjaftueshme. Mirëpo, jam krenar që askush nuk më ka kandiduar, duke i bërë shantazh me incizime të paraluftës a luftës”, ka thënë ai.

Ai është shprehur në fund i lumtur që është bërë pjesë e partisë së Albin Kurtit.

Më 26 dhjetor të 2018, Agim Bahtiri u pa në një darkë me mish e raki me njerëzit kryesorë të PDK-së.

“Sonte edhe Agimi”, kishte shkruar në “Facebook” kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në fotografinë u panë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli.

Agim Bahtiri i bashkohet Vetëvendosjes