Thaçi: Rekomandimi pozitiv, e arritur historike

Presidenti Hashim Thaçi tha se rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave është e arritur historike për qytetarët e Kosovës.

“Sot me të vërtetë është një ditë e madhe për Kosovën. Kjo është një arritje e të gjithëve, pa dallim, e të gjitha qeverive. Dua t’i falënderoj të gjithë për angazhimin si dhe dua t’i uroj qytetarët. Kjo nuk është dhuratë, është rezultat i përpjekjeve dhe reformave të thella që i kanë bërë institucionet”, tha Thaçi.

“Ne kemi besim të plotë se i gjithë ky proces do të përfundojë brenda këtij viti dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm”, shtoi Thaçi.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Kosova e ka merituar këtë lajm të mirë.

Veseli falënderoi presidentin, kryeministrin, ministrat, qeveritë e kaluara, shoqërinë e mediat për kontributin për këtë ditë.

“Ne duhet të punojmë në vazhdimësi, reformat duhet të vazhdojne, sistemi i drejtësisë do të vazhdojë me reformat. Na ka mbetur punë që te vazhdojmë lobimin me shtetet veç e veç, por ështe edhe një obligim. Ajo çka e kemi qëllim parësor është që në dhjetor qytetarët të lëvizin lirshëm. I kisha thirrë edhe kolegët nga opozita t’i gëzohen këtij lajmi”, tha Veseli.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj tha se pamja që po e shihni sot e ka vërtetuar unitetin e Kosovës.

“Ne sot kemi korrë suksesin e punës së mundimshme që e kemi bërë. Çdo punë që është në agjendë të këtij vëndi do ta përfundojmë”, tha shefi i Qeverisë.

E zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka falënderuar të gjithë ata burra e gra të  administratës që kanë punuar në reforma dhe deputetët.

“Rekomandimi është i merituar sepse Kosova i ka plotësuar te  gjitha kushtet. Është një lajm i mirë për të rinjtë e Kosovës, për studentët, për ne”, tha Limaj, duke shtuar se 99 për qind e punës është kryer.

Ndërsa, zëvendëskryeministri tjetër, Behgjet Pacolli tha se sot ishte dita e Kosovës në Bruksel, “për arsye se për Kosovën u fol ne çdo korridor e në çdo zyre ku ishim”.

“Ishim unikë dhe do të doja shumë që ky unitet të vazhdojë më tutje”, tha Pacolli, i cili u bëri thirrje “skeptikëve” që t’u bashkohen dhe të ecin bashkë në sfidat e radhës.