Kryeministri bullgar Borisov mbledh presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel për një fotografi në grup. Foto: Zyra e shtypit e presidencës së BE-së.

Thaçi ka pranuar ftesë për takim me Vuçiqin në Berlin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar ftesë nga Gjermania dhe Franca që të jetë pjesë e takimit me udhëheqësit shtetërorë të Ballkanit.

Zyra për informimin e presidencës tha për KALLXO.com se Thaçi ka pranuar ftesë nga Merkel dhe Macron për të marrë pjesë në këtë samit.

“Po presidenti ka marrë ftesë prej Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron për të marrë pjesë në samitin që do të mbahet atje”, tha zyra për informim.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha pas takimit me Listën Serbe se është ftuar nga Berlini në një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sic raporton Tanjug, ai tha se ky takim do të mbahet me 29 prill.

“Unë jam ftuar në Berlin me kryeministren, Ana Brnabic me ftesë të Gjermanisë dhe takimi do të mbahet me 29 prill. Aty po ashtu të ftuar janë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj”, tha Vuçiq.

KALLXO.com ka dërguar pyetje dhe tek zyra e kryeministrit dhe është duke pritur përgjigje.

https://kallxo.com/vuciq-thac-e-haradinaj-ftohen-per-takim-ne-berlin-me-29-prill/