Galaxy AI vjen në telefonët Samsung

Inteligjenca artificiale e Samsung do ta bëjë të mundur bisedën me njerëzit që flasin një gjuhë të huaj sepse përkthimi do të shfaqet në kohë reale.

Që kur OpenAI e ka prezantuar chatbotin e tij revolucionar ChatGPT, janë paraqitur mjete të shumta të ndryshme të bazuara në inteligjencën artificiale që na kanë ofruar mundësi të shumta dhe deri vonë të paimagjinueshme. Një mjet i ri i tillë u prezantua edhe nga Samsung, i cili synohet të përdoret në telefonat inteligjentë të tyre.

Galaxy AI, sipas zyrtarëve nga Samsung, do ta transformojë përvojën e përditshme celulare të përdoruesve, dhe kompania koreano-jugore ka vendosur theks të veçantë në opsionin AI Live Translate Call. Siç sugjeron emri, opsioni do t’u sigurojë përdoruesve të telefonave të tyre Galaxy një përkthyes personal dhe meqenëse AI Live Translate Call është integruar në veçorinë origjinale të thirrjes, përdorimi i aplikacioneve të palëve të treta nuk do të jetë më i nevojshëm.

“Galaxy AI është oferta jonë më gjithëpërfshirëse e inteligjencës deri më sot dhe do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si ne mendojmë për telefonat tanë,” ka thënë Wonjoon Choi, Zëvendës President Ekzekutiv dhe Shef i Kërkimit dhe Zhvillimit, Mobile eXperience Business.

Parimi i funksionimit të këtij opsioni është i thjeshtë. Ndërkohë që përdoruesit bisedojnë me folësit e tjerë të një gjuhe të huaj, përkthimi audio dhe teksti do të shfaqet në kohë reale, kështu, sipas zyrarëve nga Samsung, të telefonosh dikë që flet një gjuhë të huaj do të jetë aq e lehtë sa të aktivizosh përkthimin ndërsa shikon një shfaqje televizive. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme në botën e sotme ku duket se nuk ka më privatësi, është se Galaxy AI është pjesë e vetë telefonit në mënyrë që bisedat private të përdoruesve të mbeten ekskluzivisht në telefonat e tyre inteligjentë.

Samsung thotë se opsioni Galaxy AI do të arrijë në telefonat inteligjent në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk është publikuar asnjë informacion se në cilat modele do të jetë i disponueshëm, por analistët supozojnë se do të shfaqet fillimisht në pajisjet e ardhshme nga seria Galaxy S. Ne gjithashtu i presim modelet Galaxy S24, S24 Plus dhe Ultra në treg në fillim të vitit të ardhshëm, kështu që mund të supozojmë se opsioni i përkthimit live AI do të jetë një nga risitë më të mëdha që do të sjellin këto pajisje dhe do të jetë interesante për të parë nëse do të shfaqet edhe në modelet më të vjetra./Dnevnik.hr