Ford do rishikojë strategjinë e shitjes së veturave elektrike

Muajin e kaluar, Ford zuri vendin e dytë në tregun amerikan të automjeteve elektrike dhe ambiciet e tyre në të ardhmen janë jashtëzakonisht të mëdha, raporton Electrek.

Ne duhet të prodhojmë gjëra dhe të jemi efikas në të”- ka deklaruar Elon Musk gjatë shpalljes së rezultateve të biznesit të Tesla për tremujorin e dytë të këtij viti. Ky efikasitet, i cili reflektohet në kostot sa më të ulëta për t’i bërë automjetet sa më të lira për klientët, përfshin edhe modelin special të shitjes së Tesla-s – nëpërmjet internetit.

Ky model shitjesh ndryshon nga modeli i prodhuesve tradicionalë të automjeteve, të cilët zakonisht i shesin automjetet përmes përfaqësuesve të shitjeve, ku klientët fillimisht i shikojnë ato në sallone, organizojnë teste etj., dhe më pas vendosin t’i blejnë. Duke qenë se automjeti blihet përmes përfaqësuesve të shitjeve që marrin një komision, çmimi përfundimtar i automjetit është gjithashtu më i lartë.

Me Tesla-n situata është ndryshe dhe falë qasjes së shitjes direkte të automjeteve te klientët, ata mund ta ulin çmimin sepse nuk ka komision për përfaqësuesit e shitjeve dhe kosto të tjera të lidhura.

Për të qenë më efikas, Shefi Ekzekutiv i Ford-it Jim Farley njoftoi se së shpejti do të takohet me përfaqësuesit e shitjeve të automjeteve të tij për të arritur një marrëveshje që duhet të rezultojë në një çmim më të ulët për automjetet elektrike të Fordit. Sipas informacioneve të disponueshme, Ford nuk ka ndërmend t’i ndjekë hapat e Tesla-s dhe të fokusohet në shitjet online, por prioriteti i tyre do të jetë ulja e kostove. Farley dëshiron ta ulë çmimin e shitjes së automjeteve elektrike të Fordit me rreth 2000 dollarë për t’i bërë ato më konkurruese me kompaninë e Musk.

Ndër të tjera, me përfaqësuesit e shitjeve do të bien dakord për rritjen e aktiviteteve promocionale në lidhje me shitjen e automjeteve, ndërsa plani është që të rritet numri i stacioneve të karikimit. Muajin e kaluar, Ford zuri vendin e dytë në tregun e automjeteve elektrike në SHBA, ndërsa Ford F-150 Lightning zuri pozitën udhëheqëse në tregun e kamionçinës elektrike, një vend që Musk synon në të ardhmen me Cybertruck-un e tij./ Electrek

Përgatiti: Nuhi Shala