Pamje nga ura mbi Ibër pas heqjes së "Parkut të Paqes" në gusht të këtij viti - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Qeveria e Kosovës do ta Rrënojë Murin në Mitrovicë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë thirrje për ndaljen e ndërtimit të murit në urën e Ibrit që ndan Mitrovicën jugore dhe veriore.

Ajo deklaroi se këto ndërtime po bëhen në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.

“Ndërtimi i këtij muri është një veprim ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për rivitalizimin e urës së Ibrit dhe si i tillë do të ndalet dhe rrënohet. Koha e mureve ka kaluar. Është kohë e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës nga ura e Ibrit i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave”, tha Tahiri.

Pas takimit urgjent që Tahiri e bëri me  Grupin punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Policisë, u vendos për inspektim të terrenit dhe masa ligjore nga Qeveria.

“Ne nuk do lejojmë mure e barrikada të reja, sepse ato bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit. Qeveria e Kosovës do të veprojë me forcën e ligjit për të ndalur punimet në atë pjesë të qytetit si dhe për të rrënuar këtë mur”, tha Tahiri.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se këto veprime mund të cenojnë arritjet në dialogun e deritanishëm me Serbinë.

“Kam tërhequr vërejtjen se këto zhvillime janë destablizuese dhe se pakënaqësia dhe tensionet janë në ngritje, andaj duhen masa të shpejta ndaluese, sepse kjo mund të cenojë arritjet e deritashme të dialogut të Brukselit”, deklaroi Tahiri.

Ndryshe, në gusht të këtij viti ka filluar heqja e barrikadës mbi lumin Ibër. Këtë barrikadë serbët e quanin “Parku i paqes”.

“Parku i paqes” ishte vendosur në qershor të vitit 2014, pak orë pasi nga aty nga serbë të veriut ishte hequr barrikada e mëparshme prej dheu e gurësh, e cila e ndante qytetin që nga paslufta.

http://kallxo.com/nje-mur-teneqeje-ndan-aktualisht-mitrovicen/

Në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, është paraparë edhe heqja e barrikadës në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Sipas Bashkimit Evropian, me fillimin e implementimit të marrëveshjes, kjo urë e cila që nga qershori i vitit 1999 ka qenë simbol i ndarjes etnike në Kosovë, do të bëhet “simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë”.

http://kallxo.com/ura-e-ibrit-hapet-pas-5-muajsh/