Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vrapi i vështirë i Musa Hajdarit

 Musa Hajdari, atleti nga Kamenica që për herë të dytë ka arritur që t’i bashkohet ekspeditës së Kosovës në Lojërat Olimpike në Tokio këtë muaj, tregon për sfidat që e përcjellin gjatë stërvitjeve dhe emocionet që ngjall pjesëmarrja në garën kulmore sportive.

Është ora 9:30 e paradites së të enjtes dhe Musa Hajdari ka ardhur në stadiumin “Fadil Vokrri” t’i nisë stërvitjet atletike. Por atij i duhet t’i mbajë rrobat dhe rekuizitat tjera sportive edhe për pak kohë në çantë për shkak se në stadium nuk ka vend për të. Në këtë moment, futbollistët e klubit “Prishtina” janë duke kryer stërvitjen e tyre ditore në përgatitje për sfidën e radhës për garat evropiane.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zgjidhja e vetme për Musanë është që për një orë e gjysmë të presë në një kafiteri afër stadiumit derisa futbollistët ta përfundojnë seancën e tyre.

Musa Hajdari, atlet nga Kamenica, më 30 qershor ka marrë një lajm të mirë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Pak javë më pas ai do të jetë pjesë e ekspeditës së Kosovës që do të udhëtojë drejt Tokios për t’i mbrojtur ngjyrat e Kosovës në Lojërat Olimpike të këtij viti.

Për vrapuesin në disiplinën vrapim 800 metra kjo është hera e dytë që do të marrë pjesë në Lojëra Olimpike, pas atyre të “Rio 2016”.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Atletika si trashëgimi familjare

I lindur në vitin 1987 në fshatin Koretin të Komunës së Kamenicës, Musa Hajdari ka zbuluar se ishte i motivuar nga babai i tij që të merrej me atletikë.

“Për atletiken, për vrapimin jam motivu nga prindi i cili ka vrapu në dasma që iu kanë thënë “marama”, ka vrapu rregullisht edhe pasi jam rritë unë i ka pasë disa shpërblime do këmisha do peshqirë edhe unë jam motivu prej atij. Kam fillu prej shkollës fillore. Për herë të parë kam marrë pjesë në vitin 1996 në Karaqevë. Ka qenë në nivel të Kosovës mirëpo kanë vrapu edhe nxënësit e shkollave”, tregon Musa Hajdari në një bisedë për KALLXO.com.

Atleti Musa Hajdari, ka mbi 21 vite që ka nisur intensivisht të merret me sportin e atletikës. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, ai e kishte nisur vrapin në klubin e atletikës “Arbëria” në Kamenicë, pastaj për të vazhduar në Gjilan e përfundimisht në vitin 2006 te klubi i atletikës “Rogana”, klub në të cilin bën pjesë tash e 16 vjet.

“Me stërvitje kam filluar në fund të vitit 1999 pas përfundimit të luftës fillimi i vitit 2000. Aty kam fitu në nivel shkolle dhe prej aty më ka pa Agim Jakupi trajner i atletikës “Arbëria” në Kamenicë dhe më ka ftu me një garë që e kanë pas në Mitrovicë. Nga aty kam vazhduar me stërvitje gara deri në vitin 2004. Në vitin 2004 kam kaluar në klubin e Atletikës, Gjilani, ku ka qenë pjesë Zijadini dhe një pjesë e grupit të atletëve të Roganës. Aty kemi funksionu deri në fillim të vitit 2006. Nga viti 2006 e deri tani jam pjesë e Klubit të Atletikës Rogana”, tregon ecurinë e tij në klubet e atletikës, atleti nga Koretini i Kamenicës, Musa Hajdari.

Si i ri e i pa punë, Musa Hajdari, mbështetje gjeti vetëm te babai i tij për të vazhduar me atletikën, sport të cilit nuk iu është ndarë për më shumë se 21 vite.

“Ka qenë shumë problematike sidomos vitet e para 2000 – 2004 kur kam qenë në Klubin e Atletikës Arbëria në Kamenicë ku për çdo gjë që kemi pas nevojë është dashtë të drejtohemi te prindërit se kemi qenë fëmijë dhe nuk kemi punu. Klubi nuk ka pas as një cent as për gara as për regjistrim të atletëve. Harxhimet i kemi pas prej xhepit të prindërve. Fati im ka qenë që më ka kuptu prindi pasi edhe ai e ka dashtë këtë sport. Me mundësitë që i ka pasë më ka përkrah mos me lënë këtë sport”, rrëfen Musa Hajdari.

Synimi i atletit Musa Hajdari ishte i qartë, pjesëmarrja në ngjarjen më të madhe për një sporte individuale siç janë Lojërat Olimpike. Një gjë të tillë Hajdari e bëri në verën e vitit 2016, duke marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

“Vështirësitë nuk diskutohen se kanë qenë shumë të mëdha por synimet dhe qëllimet ia kam caktu vetës sa më larg që është e mundshme. Synimi ka qenë të jemi në evenimentet më të larta të sportit siç janë Lojërat Olimpike dhe atë e arritëm për herë të parë Kosova mori pjesë në Lojëra Olimpike, isha pjesë e ekipit edhe unë. Vështirësi ka pasë jashtëzakonisht shumë sidomos ana financiare sepse sporti nuk mbahet pa kushte por jemi mundu me gjitha mënyrat e mundësitë duke lënë shumë gjëra anash familjen e shoqërinë vetëm që t’ia arrijmë qëllimit dhe të kemi sukses”, vazhdon rrëfimin Hajdari.

Hajdari thotë se klubi i tij “Rogana” e ka përkrahur maksimalisht me kapacitetet që i kanë pasur, por ai ka dyshime në trajtimin e tij nga Federata e Atletikës e Kosovës.

“Përkrahja e klubit ka qenë me aq mundësi sa ka pasë. Për federatën s’di çka të them nganjëherë është me dyshu sepse aty ka njerëz që kënaqen me disa udhëtime mëditje e komisione aty dhe nuk i brengos rezultati e suksesi. Nëse nuk jam i përgatitur për një garë e lajmëroj më herët sekretarin, selektorin që nuk keni nevojë me më nxjerrë biletën mu”, thotë Hajdari me skepticizëm për Federatën e Atletikës së Kosovës.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai insiston se Federatës së Atletikës së Kosovës, po i intereson paraja e jo suksesi i atletëve kosovarë që vijnë nga klubet e Kosovës që janë nën ombrellën e kësaj federate.

“Kemi probleme me federatë. Shpresojmë që ndryshimet në Komitetin Olimpik që kanë ndodhë kohëve të fundit të përcillen edhe nëpër federata e në këtë rast në federatën tonë”, shprehet Musa Hajdari me shpresën që do të ketë përmirësime në Federatën e Atletikës së Kosovës.

Hajdari vitin 2016 e kishte pritur me gëzim të madh, pasi në atë vit do të merrte pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, duke e përfaqësuar Kosovën në disiplinën e vrapimit 800 metra.

Ai rrëfen për herë të parë për KALLXO.com se si emocionet i ndikuan që mos të ketë performancë në nivel të duhur.

“Përgatitjet në atë kohë kanë shku shumë mirë edhe pse të gjitha i kemi bërë brenda Kosovës shkaku i rrethanave dhe kushteve që kanë ekzistu në atë kohë nuk kemi pasë mundësi me dalë jashtë vendit. Kemi qenë për rezultat shumë më të mirë se sa ai që është paraqitë atje”, thotë ai.

“Mirëpo edhe pse jemi mundu mu përgatit edhe në anën psikike që mos me ndiku emocionet në garë prapë ka qenë e pamundur ajo sepse ka qenë hera e parë që morëm pjesë në Lojëra Olimpike nuk muj me mohu që kanë ndiku emocionet në aspekt negativisht te paraqitja në garë”, tregon Musa Hajdari i cili e kishte përfunduar garën në disiplinën 800 metra në “Rio 2016” për 1:48.41 sekonda duke përfunduar në vendin e fundit.

Hajdari shpreh shqetësimin e tij për trajtimin në Lojëra Olimpike, pasi ai tregon se ka qenë në “Rio 2016” vetëm me trajnerin e tij, duke mos pasur staf përcjellës. Ai tregon se si ishte zhgënjyer kur i kishte parë atletët e tjerë me staf përcjellës deri në 10 persona. Kurse, nga Kosova ka qenë vetëm një fizioterapeut për të gjithë sportistët që kanë garuar në Lojëra Olimpike.

“Unë kam qenë vetëm me trajnerin. Fizioterapeuti i ka qenë i përbashkët i komplet ekipit që ajo nuk duhet me ndodh se nëse asnjë herë nuk e prek trupin tim ai fizioterapost atëherë qysh ka mundësi me m’bo masazh ose një stërvitje të veçantë me mua nëse nuk e din se çfarë elemente në trup i kam”, thotë ai.

Ai thotë i shqetësuar se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Tokio, pasi sipas tij një fizioterapeut nuk mundet të merret me një sportist aq sa ka nevojë.

“Fatkeqësisht duhet të them, sepse është faza përfundimtare para nisjes atje. Fatkeqësisht ka me ndodhë e njëjta prapë, sepse Komiteti Olimpik ka ndryshime para dy -tre muajve, nuk kanë pasur mundësi të bëhen ndryshime drastike aty. Prapë do të jetë një fizioterapeut, nuk e di se kush do të jetë, nuk ka me pasur mundësinë me e kry punën qysh duhet”, thotë Hajdari i zhgënjyer.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Musa Hajdari shpreh edhe shqetësimin për ndarjen e bursave nga Komiteti Olimpik i Kosovës për sportistët e dalluar për ta arritur normën olimpike.

“Nëse një sportisti i jepet shumë prej 2 mijë euro e tjetrit sportist në një sport tjetër i jepet shumë 200 euro edhe të njëjtën kohë i kërkohet arritje e normës të dyve, kjo nuk do koment”, thotë Hajdari duke folur për kategorizimin e ndarjes së bursave për ta arritur normën olimpike.

“Nuk janë në pyetje vetëm paratë. Paraja është rrugë nëpër të cilën ti duhesh me kalu për me shku me një kamp stërvitor në Kenia në atletikë që është njëri prej kampeve më të forta, me shku në Zvicër në lartësi mbidetare mbi 2 mijë metra është kamp stërvitor i atletikës perfekt, mirëpo nuk shkohet me 200 euro atje, nuk arrihet norma me përgatitje pa shteg të atletikës”, vazhdon ai.

Në Kosovë nuk ka asnjë shteg të atletikës i cili i plotëson të gjitha kushtet, e për këtë arsye në këtë vit nuk është mbajtur asnjë garë në Kosovë në një shteg të atletikës në disiplina të ndryshme.

“Fatkeqësisht asnjë garë nuk e kemi brenda vendit në këtë vit, për arsye se nuk është asnjë shteg i vetëm i atletikës brenda Kosovës që i plotëson kushtet për mbajtje të garave. Jemi në vitin 2021, nuk e ke një shteg të atletikës ku i mban garat”, thotë ai.

Hajdari thotë se atletika është sport që nuk dëshiron pushim, pasi kërkon që gjithmonë të jesh aktiv dhe në formë të mirë.

“Atletika është sport që punohet në 12 muaj në vit, nuk i ndalim asnjëherë përgatitjet. Stërvitje kemi mbajtur dy herë në ditë, vitin e fundit, shumicën e stërvitjeve i kam mbajtur në Prishtinë, në Tokbahçe, Gërmi dhe stadiumin e Prishtinës. Përveç që tri stërvitjeve në javë që i kam zhvillu me komplet klubin ose në Gjilan ose në Kamenicë, pjesën tjetër të stërvitjeve i kemi mbajtur këtu”, tregon Musa Hajdari.

Një pjesë të përgatitjeve e ka bërë në Turqi, kurse pjesën e mbetur deri në fillimin e Lojërave Olimpike, atleti Musa Hajdari do ta bëj në kampin stërvitor të atletikës “Rogana” i cili është në fshatin Kranidell të Kamenicës në një lartësi mbidetare mbi 1100 metra.

“Kemi qenë në përgatitje në muajin shkurt në Turqi, dy javë, kemi planifiku që edhe para Lojërave Olimpike të shkojmë në përgatitje jashtë vendit, por është një periudhë e shkurtër dhe konfirmimin e kam marrë pak me vonesë prej Federatës Botërore të Atletikës edhe fazën përfundimtare mendojmë ta zhvillojmë në kampin stërvitor të klubit të atletikës “Rogana”, pjesë e të cilit jam edhe unë, është lartësia mbi 1100 metra në fshatin Kranidell të Komunës së Kamenicës, atje do t’i fillojmë përgatitjet nga 3 korriku deri më udhëtimin që do ta kemi më 25 korrik për në Tokio”, tregon ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Musa Hajdari premton se do ta japë maksimumin për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet. Ai shton se kësaj radhe do të jetë i fokusuar plotësisht pasi e ka përvojën nga viti 2016 që emocionet të mos i ndikojnë negativisht.

“Emocionet e tepërta kalojnë në anën negative, do të jem maksimalisht i fokusuar në garë të mos jem në ndikim nga tifozët, sepse në Lojërat Olimpike në Rio ka qenë stadiumi i stërmbushur me shikues edhe ashtu nuk na ka ndodhur neve asnjëherë të kemi gara në atletikë, mbi 60 mijë tifozë kanë qenë, ajo ka ndiku, sepse nuk kemi bërë diçka të këtillë më herët”, tregon Hajdari.

I diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sportive në Prishtinë, Musa Hajdari tani punon si profesor në sportin e atletikës në sistemin arsimor në Komunën e Kamenicës.

Tash e një vit ai jeton në Fushë Kosovë bashkë me gruan dhe vajzën ndërsa dy vjet më parë atij i qe ofruar mundësia që shkathtësitë e veta atletike t’i transmetojë edhe te nxënësit nëpër shkolla të ndryshme.

Ai nuk e di edhe për sa vjet do të mund të jetë atlet aktiv por është i brengosur për kohën kur do t’i varë atletet në gozhdë.

“Kam vrapu qe 20 vjet edhe nuk mundesh deri në moshën 50 vjeçare të jesh aktiv. Ka me ardhur një kohë që duhesh ta ndërpresh, sepse ti don por nuk ec organizimi edhe kur ta ndërprejsh çka? Nuk ka asgjë të rregulluar me ligj”, thotë ai.

“Është e rregulluar me ligj kur të bëhesh kampion botëror të marrësh një pension. Me u bë kampion botëror në atletikë nuk të nevojitet pensioni i shtetit asgjë, sepse do ta kesh pensionin nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës”, thotë Musa Hajdari.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sulejmani, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka mohuar akuzat e Musa Hajdarit, duke thënë se e kanë mbështetur gjithmonë atletin nga Kamenica.

“Absolutisht është e pavërtet, është papjekuri e një atleti 33 vjeçar. Çdo gjë që ka pasë Federata e Atletikës që nga paraqitja e tij si pak më i miri nga të tjerët, Federata e Atletikës e Kosovës ka dhënë çdo gjë, asnjë garë nuk e kemi lënë pa e dërgu, asnjëherë pa përgatitje nuk ka dalë edhe në Turqi edhe në Mal të Zi, kah ka dashtë ka shku”, ka thënë Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sulejmani për KALLXO.com.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i kontaktuar nga Kallxo.com, ka folur rreth shqetësimeve që i ka shfaqur atleti Musa Hajdari.

“Pjesë e delegacionit eshte

fizioterapeuti i cili do te perkujdeset per ekipin tone olimpik, kurse per staf tjeter mjekesor Kosova nuk ka kuote per akreditim. Stafi mjekesor i LO Tokyo 2020 perkujdeset per te gjitha ekipet gjate pergatitjeve dhe garave. Shume ekipe olimpike nuk kane fare as fizioterapeut”, ka thënë kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi për Kallxo.com.

Ai ka thënë se sa i përket bursave olimpike për “Paris 2024” do të vendos Bordi Ekzekutiv.

“Sa i perket bursave olimpike Paris 2024 do te vendos Bordi Ekzekutiv ne njeren nga mbledhjet pas LO Tokyo 2020, kur edhe eshte koha per te vendosur”, ka thënë Krasniqi.