Trajneri i Gjilanit optimist para ndeshjes ndaj Apoelit

Gjilani të enjten do të përballet me Apoel Nicosian në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Europës, nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani është shprehur optimist për ndeshjen ndaj Apoelit.

“Unë mendoj se kjo është një ndeshje tjetër dhe jo si ndaj Tre Pennes, për nga cilësia. Optimizmi është pasi në futboll mund të ndodhë gjithçka. Apoeli është ekip me buxhet shumë më të madh se ne, por ne jemi optimistë”, ka thënë fillimisht Mezani.

Mezani ka deklaruar se e ka studiuar mirë kundërshtarin dhe se gjasat janë të barabarta për ndeshjen e nesërm.

“Kemi punuar në të gjitha aspektet, sidomos në atë defanziv pasi kundërshtari ka shumë cilësi në sulm. E kemi studiuar mirë kundërshtarin, por nuk është ai Apoeli i para disa viteve. Mendoj se gjasat janë 50-50”, ka deklaruar Mezani.