Trajneri i Gjilanit: Prokuroria dhe Federata duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër

Gjilani mori një barazim me rezultat 2-2 ndaj Ballkanit, i cili i largoi nga lufta për titullin e kampionit, pasi rivalët e qytetit Drita u shpallën kampion të Superligës për këtë sezon.

Skuadrës së drejtuar nga Gentian Mezani i duhet fitorja në xhiron e ardhshme ndaj Flamurtarit që ta siguroj vendin e dytë që i dërgon në garat europiane.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani.

Mezani ka thënë se Gjilani e meritoi titullin e kampionit më shumë se secila skuadër të në Superligë.

“E gjithë Kosova e ka parë si ka luajtur Gjilani, e si ekipet tjera. Ua mbyllëm gojën edhe specialistëve që na kritikonin. E them me gjithë gojën që Gjilani ishte skuadra më e mirë në Kosovë këtë edicion dhe e meritoi titullin kampion”, ka deklaruar Gentian Mezani.

Trajneri i Gjilanit ka thënë me nervozizëm se Prokuroria dhe Federata e Futbollit e Kosovës duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër.

“Edhe ne edhe Ballkani kemi luajtur pastër. Prokuroria dhe Federata duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër. Nuk më intereson fare nëse e kemi bërë Dritën kampion apo jo, ne ishim ekipi më i mirë. Skuadra është shumë e lodhur pas dy ndeshjeve të vështira, por do të japim maksimumin edhe ndaj Flamurtarit, pasi që jemi brenda objektivave dhe duam pozitën e dytë”, ka thënë Gentian Mezani për Super Sport Kosova.

Munishi: Ballkani dhe Gjilani skuadrat e vetme që luajtën futboll gjatë gjithë kampionatit