Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

RTK paralajmëron masa ndaj komentatorit Andin Lokaj

Drejtori i RTK-së, Ngadhjim Kastrati ka bërë të ditur se do të merren masa ndaj komentatorit Andin Lokaj, i cili mbrëmë pas ndeshjes Kosovë U21 – Shqipëri U21, kishte bërë një status kundër kësaj të fundit.

Kastrati ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast.

“Lidhur me rastin e deklarimeve publike të komentatorit Andin Lokaj, RTK njofton se do të veprojë në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-së dhe  Rregullores për Përgjegjësitë materiale dhe disiplinore. Po ashtu ju bëjë me dije se tani më kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast!”, ka shkruar Ngadhnjim Kastrati.

Lokaj pas përfundimit të ndeshjes Kosovë (U21) – Shqipëri (U21), të cilën e fituan “dardanët” (2:1), përqeshi ekipin e Shqipërisë.

“Paramendo mos me pas fitu sonte kundër ktyre që kur kemi lujt ne kosovarët TOP, ata në stadion veç ushtarë të tupit, trunin të Enverit i kanë pas në tribuna”, ka shkruar Lokaj në Facebook.

KALLXO.com, ka provuar të marr një qëndrim nga komentatori Andin Lokaj për këtë çështje, por i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Edhe tifogrupi i Prishtinës “Plisat” e ka quajtur të padëshiruar Lokajn në stadiumin e Prishtinës.

“Besojmë që shumica nga ju e ka përcjellë ndeshjen vëllazërore sot mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Europianit të grupmoshës U-21. Pa marrë parasysh rezultatit të sotëm, ndeshja ishte mes Kosovës dhe Shqipërisë, andaj nuk tolerohet që askush të tentoj të bëj deklarata të cilat nxisin përçamje. Andin Lokaj sot pas ndeshjes Kosovë – Shqipëri ka lëshuar disa deklarata të cilat janë të papranueshme dhe gjithsesi të pa tolerueshme! Askush nuk mundet dhe nuk guxon të krijojë përçamje, kjo deklaratë e komentatorit të sotëm duhet të dënohet fuqimisht, përndryshe përgjegjësia nuk mbetet tek NE”, thuhet në deklaratën e Plisave.