Albin Tahiri garon nesër, synon pozitën e 15-të

Skitari Albin Tahiri do të garojë nesër në disiplinën kombinim alpin. Kjo disiplinë përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi.

“Meqenëse, numri i garuesve është vetëm 27 sosh, shkaku i mungesës së normave olimpike të skitarëve në të dyja këto disiplina, Albinit i janë shtuar ambiciet për të përfunduar në mesin e 15 më të mirëve në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ai renditet me numrin rendor 35.

Albin Tahiri gjatë ditës së hënë kishte garuar në disiplinën e skijimit alpin dhe nga 43 garues ai zuri vendin e 35-të.

Pas garës Tahiri ishte shprehur i kënaqur me rezultatin.

“Sot ishte dita ime e parë në garën e lëshimit. Shtegu ishte i akullt dhe pak i shpejtë, më shumë sesa që e prisja. Sidoqoftë, vendi 35 ishte më i miri në Lojërat Olimpike për mua. Jam i kënaqur me rezultatin, por jo me paraqitjen time”, kishte thënë Tahiri.

Gara e tij me kohën tonë lokale do të nisë në ora 3:30 në lëshim, ndërsa sllallomi fillon në ora 7:15.