Peja e fiton Kupën e Kosovës pas fitores ndaj Yllit
KB Peja e ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll, pasi e ka mposhtur Yllin me rezultat 79-64.
Më mirë ndeshjen e nisi Peja, duke dominuar në çdo cep të fushës, duke e mbyllur çerekun e parë me epërsi 26-9.
Ylli nuk u dorëzua dhe kërkoi që të shkrinte epërsinë. Skuadra therandase afroi rezultatin në 27:34, por pejanët sërish hynë në një seri, duke përfunduar pjesën e parë me rezultat 31:47.
Ylli e nisi fuqishëm pjesën e dytë, duke afruar rezultatin në 45:53, e më pas edhe në 49:55, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 51:57 për Pejën. Por, në 10 minutat e fundit, Peja hyri fuqishëm, duke ngritur epërsinë në 51:63, e më pas 56:70, për të triumfuar në fund 64:79.
Te Ylli u dallua Samir Zekiqi me 20 pikë.
Ndërkaq te Peja më të mirët në parket ishin Henrik Sirko me 16 pikë e nëntë kërcime, Nigel Johnson me 20 pikë e 6 kërcime e 11 asistime dhe Drilon Hajrizi me 9 kërcime.
MVP është shpallur qendra kroate Henrik Sirko. Kupën kapitenit të Pejës, Drilon Hajrizi, ia dorëzuan kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe ministrja e MKRS, Vlora Dumoshi.