Basketbollistët e KB Boreas dhe KB Trepçes Foto: Facebook
Golden Eagle Ylli vs Trepça, sfida kryesore e javës së tetë në Superligen e Basketbollit
Gjatë mesjavës do të zhvillohet xhiro e tetë në Superligen e Basketbollit dhe ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, pritet të jetë sfida kryesore.
Në këtë edicion skuadra e Yllit ka tri fitore dhe katër humbje, kurse mitrovicasit pesë fitore dhe një humbje. Xehetarët kanë mundur therandasit në Superkupën e Kosovës dhe në xhiron e parë 72:69, andaj pritet një sfidë interesante. Ndeshja zhvillohet të mërkurën në ora 19:00.
Pos Golden Eagle Yllit që ndeshet me Trepçën, të mërkurën zhvillohet edhe ndeshja midis Sigal Prishtina dhe RC Cola Drita. Skuadra nga Gjilani do të kërkojë fitoren e parë për këtë edicion, ndërsa Prishtina këtë edicion ka tre fitore dhe tre humbje nga gjashtë ndeshje. Ky takim nis në ora 17:00.
Të enjten në program është sfida midis Bashkimit dhe Pejës. Prizrenasit kanë katër fitore dhe tri humbje, ndërsa pejanët gjashtë fitore dhe një humbje, duke qenë lider të Superliges. Ndeshja zhvillohet në Rahovec dhe nis prej orës 17:00.
Ndërsa sipas njoftimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, sfida ndërmjet Rahovecit dhe Prizrenit 16, nuk do të zhvillohet.
‘’Sfida ndërmjet Rahovecit dhe Prizrenit 16, nuk do të zhvillohet, pasi rezultati do të regjistrohet nga Liga Unike’’, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës.