Basketboll: Ylli shënon fitore bindëse ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore bindëse ndaj Trepçës me rezultat 91-54, në kuadër të xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Therandasit e nisën mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë me rezultat të thellë 22-5.

Çereku i dytë po ashtu i takoi vendasve të cilët e mbyllën me rezultat 29-9, për të shkuar në pushim me rezultat 51-14.

Epërsia e krijuar në dy çerekët e parë bëri që vendasit të lëshonin pikë në çerekun e tretë të cilën e humbën me rezultat 19-23. Çerekun e fundit e fituan vendasit me rezultat 21-17, për mos ta diskutuar fitoren në këtë ndeshje.

Trajneri i Yllit, Fatih Gezer debutoi me fitore me rezultat 91-54.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Samir Zekiqi me 17 pikë, Demetris Morant me 14 pikë e 10 kërcime, Arbër Berisha me 13 pikë e nëntë kërcime, kurse te Trepça, Besnik Azemi dhe Ramadan Zekiqi shënuan nga 15 pikë.

Golden Eagle Ylli ka pesë fitore dhe pesë humbje, kurse Trepça dy fitore dhe tetë humbje.