Basketboll: Kosova mban stërvitjen e parë në Sllovaki

Kombëtarja e Kosovës A, në basketboll sot ka mbajtur stërvitjen e parë në Sllovaki, para ndeshjeve parakualifikuese për Kupën e Botës 2023.

Kosova do t’i luajë dy ndeshje ndaj Sllovakisë dhe Islandës, të vlefshme për parakuaflikimet europiane për Kupën e Botës 2023.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se trajneri i “Dardanëve”, Christos Marmarinos është i kënaqur me ekipin dhe angazhimin e tyre.

Ndërkaq, Granit Rugova, drejtor i përfaqësueseve, ka treguar se janë vendosur në hotel dhe kanë qasje vetëm në stërvitje dhe ndeshje duke e respektuar protokollin e COVID-19 të FIBA-s.

“Jemi të vendosur në hotel dhe kemi qasje vetëm në stërvitje dhe ndeshje, pasi që kështu e kërkon protokolli për Covid19 i FIBA-s, të cilin duhet respektuar maksimalisht”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

Dardanët janë liderë të grupit me dy fitore në dy ndeshje. Kosova në muajin shkurt të këtij viti mundi në Prishtinë, Islandën 80:78 dhe Luksemburgun në udhëtim 80:84.