Muharrem Sahiti: Jemi favorit ndaj Moldavisë

Muharrem Sahiti në një konferencë për media, ka folur për ndeshjen Kosovë – Moldavi, që luhet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, në kuadër të Grupit 4, të Ligës C, në Ligën e Kombeve.

Sahiti i cili po e zëvendëson Bernard Challandesin e infektuar me COVID-19, ka deklaruar se Kosova është favorite për ndeshjen e nesërme.

“Mendoj se jemi penalizuar më së shumti, por tash gjendja e lojtarëve është e mirë. Paraqitja ndaj Sllovenisë na ka ngritur moralisht, ndaj Moldavisë jemi favorit. Por, kjo nuk duhet të jetë bazë por të përqendrohemi maksimalisht për ta synuar fitoren”, ka thënë Sahiti.

Ai ka deklaruar se ka qenë vit i vështirë për “Dardanët”, por kanë fituar përvojë.

“Ka qenë vit i vështirë, por kemi fituar përvojë. E kemi ndeshjen e fundit ku synojmë të qëndrojmë në Ligën C. Do ta presim shortin në dhjetor, duhet të bëhemi gati për ciklin kualifikues”, ka thënë Sahiti.

Muharrem Sahiti ka potencuar se nuk janë të kënaqur me rezultatet e Kosovës, por janë duke punuar për rikthimin e vetëbesimit.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet dhe duhet të punojmë për t’u kthyer vetëbesimi dhe ne duhet ta kemi të qartë që nuk jemi prej atyre më të fortëve, pasi çdo mungesë ka qenë e madhe për ne. Po besoj se shumë shpejtë dhe qysh nga nesër të organizohemi”, ka potencuar Sahiti.

Herolind Shala: Synimi i ynë është të qëndrojmë në Ligën C