Mbahet takimi 'Tryeza e Sportit', akterët e sportit diskutojnë për të ardhmen

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, dhe federatat sportive sot gjatë ditës ka organizuar tryezë diskutimi në Brezovicë.

Kjo tryezë ka për qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sportit në Republikën e Kosovës. Përmes kësaj tryeze synohet që bashkërisht të gjithë akterët e sportit të krijojnë një platformë të përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe zhvillimi i mëtejmë në sportin e Kosovës.

Në ditën e parë të tryezës u diskutua mbi gjendjen ekzistuese të sportit në Kosovë dhe për programin e qeverisë thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pjesë e tryezës ishin Ministri Hajrullah Çeku, Ismet Krasniqi- Kryetar i KOK-së, Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Musa Selimi, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Prishtinës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sport, si dhe drejtuesit e përfaqësuesit e federatave sportive, përfaqësuesit e nivelit lokal në Kosovë, të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive tjera negative në Sport si dhe përfaqësuesit e vet sportistëve.

Ministri Çeku gjatë tryezës është shprehur se këto tryeza do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.

Ministri paralajmëroi se ndër temat  që do të diskutohen në këtë tryezë dyditëshe janë:  Gjendja ekzistuese në sport, Politikat e zhvillimit të sportit; Plani Operacional Strategjik i Qeverisë për fushën e sportit, si dhe një projektin e ri “Baza e të dhënave të sportit në Kosovë” si një nismë e re që do të na ndihmojë shumë për zhvillimin e sportit.

“Çfarëdo strategjie që do të ndërtojmë për sportin, mos të shihet si një strategji e ministrisë për sportin por një strategji e sportit e shtetit të Kosovës” është shprehur Çeku.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se për dy ditë radhazi do të kemi mundësinë që bashkërisht të diskutojmë për sfidat me të cilat përballet sporti ynë.

“Këto ditë, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka përfunduar procesin e vështirë dhe të mundimshëm të kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2022, ku sipas statistikave të nxjerra, del se gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rreth 50 mijë sportistë aktivë, që i bie se vetëm rreth 3 për qind e popullsisë tonë merret me sport”, ka thënë kryetari Krasniqi, duke shtuar se ne duhet të punojmë që këtë përqindje ta rrisim.

Ndërsa në fjalën e tij, dekani Musa Selimi, tha se tryeza e këtillë është shumë e mirëpritur sepse po ndodh për herë të parë ku mblidhen të gjithë akterët e sportit për të diskutuar për këtë fushë.

“Duhet ta rrisim fondin e numrit të orëve të edukatës fizike në shkolla sepse me vetëm dy orë në javë, ne jemi të vetmit në Ballkan dhe Bashkimin Evropian që kemi kaq pak orë”, ka thënë mes tjerash Selimi.

Në fjalën e saj Zëvendësministrja Daulina Osmani, prezantoi planin strategjik dhe operacional të Qeverisë së Kosovës për sektorin e sportit, i cili është hartuar mbi të gjeturat e raportit hulumtues që ka realizuar Departamenti i Sportit i MKRS-së, por që me kontributin e këtyre dy ditëve ky draft do të pasurohet edhe me idetë dhe kontributet e pjesëmarrësve të tryezës.

Tryeza pritet të vazhdojë edhe ditën e nesërme.