Ministri Hajrulla Çeku dhe kryeministri Albin Kurti | Foto: Albin Kurti/Facebook

Çeku: Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje për faktorin ndërkombëtar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka paralajmëruar se kryeministri Albin Kurti shumë shpejt do ta ketë përgjigje për faktorin ndërkombëtar për kërkesat dhe paralajmërimet që i kanë pasur për Kosovën, konkretisht qeverinë ditëve të fundit.

Çeku i cili në partinë e Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje është sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare, ka thënë se kryeministri Kurti është personi më kompetent për ta sqaruar situatën.

“Ajo çfarë mund të ju siguroj është që Kryeministri Kurti shumë shpejt do të ketë përgjigje për çështjen për të cilën ju po diskutoni edhe për faktorin ndërkombëtar, edhe për gazetarët, edhe për opinionin publik sepse ai është më kompetenti në mesin tonë për ta sqaruar më tutje, por diskutimet tona të brendshme janë të rregullta dhe diskutimet janë të rregullta” – tha ai.

Ai tha se si sekretariat i partisë kanë pasur diskutime të rregullta, por që nga ndërtesa e qeverisë nuk mund të jap detaje.

“Kryesia e VV-së mban takime të rregullta. Në të gjitha këto takime ku është prezent edhe kryeministri, respektivisht kryetari i subjektit tonë diskutohen të gjitha çështjet aktuale politike përfshirë edhe zhvillimet e fundit dhe ai është forumi ynë më i rëndësishëm i shkëmbimit të diskutimeve edhe i dhënies së sugjerimit dhe ideve” – tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.

“Sot jemi këtu është ndërtesa e Qeverisë së Republikës, jemi në cilësinë e ministrave për të prezantuar rezultatet e kësaj mbledhje, dhe nuk do të të flisnim për çështje që lidhen me partinë” – theksoi ai.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, zgjedhje të reja, dhe formim të asoaciacionit, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Escobar: Nuk kam dhënë afat në Prishtinë, pyeta se cilët ishin hapat tutje