Kosova e mposht Estoninë në shtëpi të vet

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e ka realizuar fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

“Dardanet”, në Tartu, kanë arritur të mposhtin Estoninë, me rezultat 2:1, duke e regjistruar fitoren e dytë në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tash në ciklin e parë të saj të parë kualifikues.

Kosova kishte debutuar me fitore në shtëpi kundër Turqisë në fund të muajit gusht, por në ndeshjen e dytë kishte pësuar humbje si mysafire kundër Sllovenisë.

Megjithatë, të përzgjedhurat e Afërdita Fazlijajt në ndeshjen e tretë sërish treguan lojë të mirë, madje duke e përmbysur rezultatin.

Në fakt, të parat në epërsi kaluan estonet në minutën e 22’, kur realizuan nga penalltia.

Mirëpo, ky gol vetëm sa ndikoi në rritjen e intensitetit të lojës tek vashat e Kosovës, të cilat në minutën e 41’ e barazuan rezultatin me golin e Modesta Ukës.

E njëjta futbolliste shënoi edhe në pjesën e dytë, në minutën e 56’ për t’i dhuruar tri pikë të rëndësishme kombëtares tonë.

Pas kësaj fitoreje Kosova ngjitet në vendin e katërt me gjashtë pikë, me dy fitore dhe një humbje nga tri ndeshje të zhvilluara.