Gliha: Kishim mungesa, në Greqi erdhëm për fitore

Trajneri i përkohshëm i Kosovës, Primozh Gliha ka folur pas barazimit ndaj Greqisë.

Ai është shprehur i kënaqur me barazimin ndaj Greqisë. Gliha i ka përmendur mungesat e Hadërgjonajt, Dresheviqit dhe Zymer Bytyqit duke i cilësuar si mungesa të mëdha.

“Duhet të jemi të kënaqur me rezultatin sepse kemi mundur ta fitonim ndeshjen por kemi mundur edhe të humbim. Futbolli është dramatik. Në pjesën e parë nuk harxhuam shumë energji pasi loja është e gjatë. Duhej ta ruanim energjinë dhe përqendrimin për të bërë diçka. Nuk arsyetohem zakonisht por kishim mungesa si Hadërgjonaj, Dresheviq, Bytyqi. Për Kosovën këto janë mungesa të rëndësishme. Ju thash lojtarëve që duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të bëjmë maksimumin. U thash që dua ta fitojmë këtë ndeshje, por nuk ia arritëm qëllimit”, tha fillimisht slloveni Gliha.

Ai foli edhe për të ardhmen e tij te Kosova, por tha se vendimin në fund e merr kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ndihem mirë në Kosovë por i takon kryetarit të vendos për të ardhmen. Sa i përket kualifikimeve, në njërën anë nuk kishim fat. Në futboll ka fitore e humbje. Por diferencën e bën përqendrimi dhe sakrifica e lojtarëve në fushë. Ka edhe shumë elemente tjera”, përfundoi Gliha.

Kosova i mbylli kualifikimet për Botërorin “Katari 2022” në vendin e fundit me pesë pikë nga tetë ndeshje.