Gliha: Besojmë te fitorja ndaj Greqisë, kritikat i pranoj me kënaqësi

Trajneri i përkohshëm i Kosovës, Primozh Gliha ka folur në konferencë për media para ndeshjes ndaj Greqisë, që luhet të dielën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Gliha ka deklaruar se mund ta mposhtin Greqinë, ai ka shtuar se grekët kanë skuadër të mirë.

“Kemi nevojë për fitore, besojmë se mund ta mposhtim Greqinë. Do të jetë e vështirë, Greqia ka ekip shumë të mirë. Futbolli ndonjëherë është i çuditshëm, secili futbollist duhet të bëjë maksimumin dhe duhet të jetë i gatshëm”, ka deklaruar ai.

54 vjeçari slloven pret ndeshje të vështirë ndaj Greqisë, por premton që do ta japin maksimumin në këtë përballje.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por do të japim maksimumin në këtë përballje. Të shohim si do të rrjedhin gjërat. Do të ndryshojmë diçka, do i zbulojmë nesër. Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo me Jordaninë. Në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë, krijuam goxha raste, por nuk ia dolëm të shënojmë”, ka thënë ai.

Kritikat janë të mirëseardhura për trajnerin slloven.

“Kritikat janë të mirëseardhura. Duhet t’i pranojmë kritikat, nuk mund të jesh trajner futbolli nëse nuk je i gatshëm të pranosh kritikat”, ka vlerësuar ai.

Primozh Gliha është arsyetuar për humbjen ndaj Jordanisë për mungesën e 3-4 futbollsitëve.

“Ndaj Jordanisë na munguan 3-4 futbollistë, një gjë e tillë ndikon që gjërat të mos funksionojnë. Në futboll ka rëndësi të madhe të jesh kompaktë. Nuk mund të bëjmë tani ndryshimin e grupit të lojtarëve, por mund të bëjmë kombinime të futbollistëve që kemi”, ka thënë ai.