Novak Gjokoviq

Gjokoviqit mund t'i ndalohet pjesëmarrja edhe në turnetë e tjerë nëse nuk vaksinohet

Tenisti serb Novak Gjokoviq nuk u lejua të marr pjesë në turneun “Australian Open” për arsye se nuk ishte i vaksinuar.

Sipas ligjit të shtetit të Australisë, Gjokoviq mund të mos marr vizë për tri vitet e ardhshme.

Por Gjokoviq mund të mos ketë shanse të luaj edhe në turnetë e tjera të tenisit, raporton Reuters.com.

Numri një i botës, megjithatë, po përballet me pengesa në përpjekjen e tij për të kapërcyer zviceranin Roger Federer dhe spanjollin Rafa Nadal, me të cilët ai ndan numrin e barabartë të titujve Grand Slam, gjithsej 20, pasi atij mund t’i ndalohet të luaj në “French Open” ashtu siç janë gjërat.

Ministria Franceze e Sportit tha të hënën se nuk do të kishte asnjë përjashtim nga Ligj i ri për vaksina, që është miratuar të dielën, i cili kërkon që njerëzit të kenë certifikata vaksinimi për të hyrë në vende publike si restorante, kafene dhe kinema.

“Kjo do të zbatohet për të gjithë ata që janë spektatorë apo sportistë profesionist. Dhe kjo deri në një njoftim të dytë”, tha ministria.

“Turneu “Roland Garros” është në maj. Situata mund të ndryshojë nga tani deri atëherë dhe ne shpresojmë se do të jetë më e favorshme. Kështu që do të shohim, por qartësisht nuk ka asnjë përjashtim.”

Turneu i ardhshëm për tenistin serb është “Dubai Duty Free Tenis” që mbahet nga 21-26 shkurt.

Drejtuesit e turneut thonë se lojtarët që marrin pjesë, duhet që patjetër të paraqesin testin negativ PCR nëse dëshirojnë të marrin pjesë në turne.

Gjokoviq mund të ketë probleme edhe për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrja e Gjokoviqit në turnetë e fushës së fortë që mbahen në ShBA në Indian Wells dhe Miami në mars mund të jetë në pikëpyetje nëse ai nuk vaksinohet.

Serbi, i cili është në mesin e tre lojtarëve në listën e 100 tenistëve më të mirë që ende nuk janë vaksinuar, mund të përballet gjithashtu me probleme përpara “Italian Open” në Romë në maj për shkak të kufizimeve të ashpra anti-COVID në Itali.