FFK tregon se në cilat raste ndërhyn VAR

Sistemi i teknologjisë i njohur me termin ‘VAR’ ka hyrë fuqishëm në futbollin europian në vitet e fundit.

Ky sistem ka të bëjë me rishikimin e pamjeve filmike të një episodi të diskutueshëm që ndodh në fushë.

Federata e Futbollit e Kosovës, ka arritur që ta implementoj sistemin VAR në Superligën e Kosovës prej këtij sezoni 2021/2022.

Kanë kaluar dy xhiro që ka nisur të përdoret sistemi VAR.

FFK në një përgjigje për KALLXO.com, ka treguar se prej sa këndeve xhirohet një ndeshje dhe cilin protokoll të VAR-it e zbaton Kosova.

“Ashtu, siç edhe e kërkon Procesi i Implementimit te VAR nga FIFA, përdoren 6 kamera për të xhiruar ndeshjet. Po ekziston, protokolli i VAR-it, dhe Kosova zbaton protokollin e njëjtë të cilin e ka miratuar IFAB”, tregon FFK-ja për KALLXO.com.

Në cilat raste ndërhyn apo e ndihmon VAR-i gjyqtarin, FFK e shpjegon në detaje për KALLXO.com.

“VAR mund të ndihmojë gjyqtarin vetëm në rast të një ‘gabimi të qartë dhe të dukshëm’ ose ‘incident të rëndë të humbur’ në lidhje me: Gol/Jo Gol,  Penallti/Jo penallti karton i kuq direkt (jo karton i dytë i verdhë/karton i verdhë), Identitet i gabuar(kur gjyqtari ndëshkon ose përjashton lojtarin e gabuar të skuadrës shkelëse)”, sqaron FFK për Kallxo.com se në cilat raste mund të ndërhyj VAR-i.

A mbizotëron vendimi i gjyqtarit kryesor, apo mund të ndërhyjnë në vendimin e tij gjyqtarët ne dhomën e VAR-it dhe sa gjyqtar janë certifikuar për VAR dhe AVAR, tregon FFK.

“Vendimi i gjyqtarit kryesor mbizotëron gjithmonë, ndërsa VAR sugjeron në bazë të protokollit. Nuk ka pasur gjyqtar shtese, mirëpo janë trajnuar gjyqtaret aktual asistentet për te qene VAR dhe AVAR. Gjithsej janë certifikuar 16 gjyqtare për VAR dhe 12 AVAR”, shpjegon FFK-ja.

Kujtojmë që në sezonet e fundit ka pasur ankesa të shumta nga klubet e futbollit kosovar në drejtim të gjyqtarëve për ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e Superligës.