Ky është programi i Gramoz Vokrrit, kandidat për kryetar të FFK-së - DOKUMENT

Gramoz Vokrri ka zyrtarizuar ambicien e tij për t’u ngjitur në rrugën e babait të tij, Fadil Vokrrit.

Gramoz Vokrri të mërkurën zyrtarizoi kandidimin e tij për kryetar të FFK-së në zgjedhjet e 6 prillit.

Në një deklarim të shkurtë për media, Vokrri u shpreh se arsyeja e kandidimit të tij ka të bëjë me faktin se shumë klube të futbollit në Kosovë janë të pakënaqura me gjendjen në futbollin e Kosovës.

“Kemi një mbështetje të madhe. Një mbështetje nga ana e klubeve që nuk janë të kënaqur me zhvillimet brenda institucionit, po dëshirojnë një frymë të re. Shpresoj që gara do të jetë korrekte dhe fer”, ka deklaruar Vokrri gjatë ditës së djeshme.

Vokrri ka përgatitur edhe një planprogram qeverisës për FFK-në, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Programin e tij, Vokrri e ka bazuar në disa fusha duke i dhënë rëndësi aspektit ligjor dhe administrativ të FFK-së.

Po ashtu, Vokrri ka përmendur edhe synimin që të bëjë ndryshimin e sistemit të garave, investimeve në infrastrukturën sportive si dhe digjitalizimi i plotë i federatës.

Vokrri është zotuar edhe për transparencë financiare.

Në programin e Vokrrit janë paraparë edhe ndryshime në sistemin e garave.

Superliga e Futbollit të Kosovës do të përbëhet nga 10 ekipe. Liga e parë do të ketë 12 skuadra.

Liga e dytë do të përbëhet nga 16 skuadra, ndërsa liga e tretë do të zhvillohet në dy grupe, në Grupin A dhe Grupin B.

Momentalisht në Superligën e Kosovës në Futboll janë 10 skuadra, Liga e parë përbëhet nga 20 skuadra të ndara në grupin A dhe B.

Edhe në futbollin e vajzave janë paraparë ndyrshime nga Vokrri në rast se ai fiton mandatin 4 vjeçar në krye të FFK-së.

Vokrri ka paraparë themelimin e më shumë klubeve të futbollit për vajza, duke synuar që secila komunë ta ketë klubin e futbollit për vajza.

Momentalisht në Ligën e Vajzave garojnë 13 klube. Nga Komuna e Prishtinës janë 2 skuadra ndërsa nga Komunat e Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës, Podujevës, Klinës, Prizrenit, Vitisë, Ferizajit, Kaçanikut dhe Drenasit përfaqësohen me nga 1 klub.

Momentalisht në kuadër të FFK-së egziston edhe Liga e Vajzave në kategorinë U-17. Në këtë ligë garat i zhvillojnë 18 skuadra të ndara në dy grupe. Në grupin A gjenden 10 ekipe ndërsa në grupin B gjenden 8 skuadra. Sa i përket Komunave në këtë ligë Komuna e Prishtinës përfaqësohet nga 3 skuadra, Malisheva dhe Obiliqi  me 2 skuadra ndërsa Klina, Mitrovica, Ferizaji,Vitia, Podujeva, Gjilani, Kaçaniku, Istogu, Gjakova përfaqësohet me 1 skuadër.

Sa i përket infrastrukturës sportive, Vokrri po synon edhe stadiume të reja, ku njëri prej synimeve kryesore sipas tij është ndërtimi i një stadiumi të kategorisë së 4-të, me kritere të UEFA-s dhe FIFA-s.

Vokrri përmes programit të tij po ashtu synon që të ketë investime në Akademinë Kombëtare. Akademia Kombëtare e Futbollit përveç anës sportive paraqet edhe mundësinë të mirë që grupmoshat e reja që merren me futboll të zhvillojnë njëkohësisht edhe me mësimnxënie duke krijuar shkolla sportive.

Komiteti Ekzekutiv pritet të ketë ndryshime. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të përbëhet nga 15 anëtarë, 14 anëtarë plus kryetari, derisa momentalisht përbëhet nga 13 anëtarë.

 

FOTO : KALLXO