Ekipi olimpik i xhudos mëson rrugën që i çon drejt medaljeve

Organizatorët e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” kanë tërhequr shortin për xhudo gjatë ditës së sotme.

Pesë përfaqësuesit e Kosovës në xhudo kanë mësuar rivalët e tyre dhe rrugën se si mund të shkojnë deri te medaljet.

Pesë xhudistët me normë olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova synojnë medalje olimpike.

Trajneri Driton Kuka, ka deklaruar se shorti është një nismë e rrugëtimit për xhudistët kosovar.

“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.

Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.

Në raundin e dytë do të përballet me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil) dhe Harriet Bonface (Malavi).

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp, kategoria deri në 52 kg. Kelmendi është bartësja e katërt. Ajo garon më 25 korrik.

Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në raundin e dytë pret fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri) dhe Sanne Verhagen (Holandë). Nora garon më 26 korrik.

Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës, Loriana Kuka,  kategoria -78 kg. Ajo në luftën e dytë përballet me fituesen e duelit mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi). Loriana garon më 29 korrik.

Kampioni i Evropës Akil Gjakova në raundin e parë përballet me Ahmed Ayash të Jemenit, ndërsa nëse kalon kundërshtarin e parë, në të dytën e pret Nils Stump i Zvicrës. Akili garon më 26 korrik.