Kampionët olimpik, dekorohen me titullin “Nderi i Kombit”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka.

Meta tha se sportistët olimpist të Kosovës, personifikojnë më së miri ëndrrat, suksesin dhe krenarinë e popullit dhe të shtetit të Kosovës.

“Me mirënjohje të thellë për këtë kontribut të vyer shumëdimensional, kisha sot privilegjin e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” tre kryeshqiponjat e sportit shqiptar, të cilët duhet t’i konsiderojnë sukseset e tyre edhe si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare”, ka shkruar Ilir Meta në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

Sipas presidentit, Distria, Nora dhe Dritoni janë ambasadorët më të mirë që Kosova mund të japë në nivel botëror.

“Me ‘Medaljet e Arta’ të fituara me meritë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të tre këta sportistë janë sot ambasadorët dhe promovuesit më të shkëlqyer të vlerave dhe kontributeve, që Kosova mund të japë edhe në nivel botëror, përmes sportit”, thuhet në njoftim.

Ilir Meta vlerëson edhe kampionen tjetër olimpike të “RIO 2016”, Majlinda Kelmendi.

“Distria, Nora dhe Toni, ashtu si më herët edhe kampionia tjetër Majlinda Kelmendi, një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe për lartësimin e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar, si shembuj të shkëlqyer frymëzimi dhe referimi për brezat e rinj në rrugën drejt suksesit”, shtoi Meta.

Ai falënderoi vajzat dhe trajnerin e tyre për promovimin e Kosovës dhe vlerave të mbarë popullit shqiptar.