Ardian Nuhiu: Nuk i trembemi Legias së Varshavës

Drita të enjten do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme në histori të klubit, ndaj Legias së Varshavës në kuadër të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Europës.

Legia Varshava – Drita, luhet nga ora 20:30, në Poloni.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, në konferencë për media para ndeshjes ka thënë se e kanë harruar diskualifikimin nga Liga e Kampionëve.

“Ne shpejt e harruam diskualifikimin nga kualifikimet për në Ligën e Kampionëve. Ne tashmë kemi luajtur një ndeshje me Sileksin, në të cilën u treguam shumë mirë, kështu që diskualifikimi nuk pati ndikim negativ tek ne”, ka thënë fillimisht trajneri i skuadrës gjilanase.

Nuhiu ka thënë se nuk i frikësohet skuadrës polake dhe janë të vetëdijshëm se më kë po luajnë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se me kë po luajmë, por nuk do të trembemi. Ne do të luajmë ndeshjen tonë dhe do të shohim sa a do të jetë e mjaftueshme”, ka potencuar ai.

Trajneri shkupjan është pyetur se cilët lojtarë nga Legia do t’i merrte të Drita.

“Nëse mund të marr një lojtar nga Legia, do të ishte Luquinhas, gjithashtu keni një lojtarë shumë të talentuar si Karboënik. I gjithë ekipi është me cilësi të lartë, por unë do t’i vlerësoja këto dy si më të spikaturit”, ka thënë Nuhiu.