Albin Tahiri zë vendin e 32-të në kampionatin botëror të skitarisë

Skitari kosovar Albin Tahiri ka zën vendin e 32-të në kampionatin botëror të skitarisë që po mbahet në Cortina d’Ampezzo të Italisë.

Vendi i 32-të është pozita më e mirë në histori të skitarëve të Kosovës në kampionate botërore.

31-vjeçari përfundoi të dyja lëshimet me kohë 2:12.45 minuta, +25.99 nga vendi i parë. Pjesëmarrës në garë ishin 100 garues, ndërsa shumica u diskualifikuan në lëshimin e parë ose të dytë.

Tahiri është shprehur i lumtur për rezultatin e arritur.

“Jam shumë i lumtur me rezultatin e sotëm, pasi arrita rezultatin më të mirë në histori të skitarisë së Kosovës. Synimi im ishte të hyja në top 30-she, por për pak nuk ia dola. Shpresoj ta kem bërë Kosovën time krenare”, ka thënë Albin Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.