Pamje nga seanca gjyqësore ndaj zyrtarit të Kryeministrisë dhe djalit të tij - Foto: KALLXO.com

Zyrtarit Qeveritar i Vazhdohet Arresti Shtëpiak

Avokatët Ahmet Ahmeti dhe Leon Përlaska para trupit gjykues paraqitën kundërshtimet e tyre duke i propozuar trupit gjykues që ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj Zahir Bajramit dhe djalit të tij Adrian Bajramit si të pabazuar.

“Konsideroj se dyshimi është i pabazuar dhe se akuza është e pabazë pasi që disa prova janë marrë në kundërshtim me ligjin”, tha Ahmet Ahmeti mbrojtësi i Zahir Bajramit.

Edhe avokati Leon Përlaska që në këtë proces gjyqësor mbron Adrian Bajramin tha se në kuadër të CD-ve të provave gjenden edhe materiale të marra edhe nga vetë i dëmtuari të cilat i konsideroi kundërligjore, ndërsa kërkoi që të mos merren parasysh nga gjykata.

Prokurori Ibrahim Berisha kundërshtoi fjalët e avokatëve, ndërsa tha se ka pasur prova të mjaftueshme për ta ngritur aktakuzën.

“Do të bindeni se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen pasi që të shihni transkriptin e bisedave telefonike dhe procesverbalin e dorëzimit të provave të fondit të fshehtë në vlerë prej 10 mijë eurove, provën e stimulimit dhe videoincizimet e CD-ve, prova këto që gjenden në shkresat e lëndës”, tha prokurori Ibrahim Berisha.

Sa i përket kërkesës për hedhje poshtë të aktakuzës, trupi gjykues u deklarua se do të vendosë me aktvendim të veçantë brenda afatit ligjor dhe se palët do të njoftohen me kohë.

Avokatët e dy të akuzuarve kërkuan edhe që të mbrojturve të tyre t’u hiqet masa e arrestit shtëpiak, ose ajo t’u zëvendësohet me obligim për paraqitje një herë në javë në stacionin policor, por kjo kërkesë u hedh poshtë nga kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.

Hoti refuzoi kërkesën e avokatëve me arsyetimin se se ende ekzistojnë kushtet për të cilat është caktuar kjo masë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami gjatë kohës që ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit së Kosovës e ka keqpërdorur autoritetin zyrtar.

Që nga viti 2012 ishte takuar disa herë me të dëmtuarin e rastit, Elsadat Musliji, të cilit i kishte premtuar që përmes pozitës së vet do t’ia hiqte dënimin prej tre vjetësh burgim të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, më 9 shkurt të vitit 2017, i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, pasi që të njëjtit i kishte premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit me burgim.

Ndërkaq, djali i tij, Adrian Bajrami, fillimisht ia kishte marrë 10,000 euro, e më pas ia kishte kërkuar edhe 10,000 euro, ashtu që i dëmtuari Musliji është detyruar që rastin ta paraqesë në polici.

Për këtë i akuzuari Zahir Bajrami ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, i akuzuari Adrian Bajrami, ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Në seancën e kaluar të zhvilluar më tetë mars, zyrtari qeveritar dhe djali i tij u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/deklarohet-pafajshem-drejtori-financave-kryeministrise/

Babë e bir ishin arrestuar nga policia më 9 shkurt 2017.

http://kallxo.com/arrestohet-zyrtari-larte-qeverise-kerkonte-para-per-zgjidhjen-e-nje-rasti-ne-gjykate/