Zhivkoviq: Kosova fsheh të vërtetën për serbët e zhdukur

Jasmina Zhivkoviq, deputete e Listës Serbe nuk u pajtua me rekomandimet për të pagjeturit, duke thënë se me to zëri i serbëve të zhdukur nuk dëgjohet.

Deputetja tha se nuk do të flasë në Kuvend për babanë dhe xhaxhain e saj, por për të gjithë ata që konsiderohen të zhdukur.

“Nuk dua të flas si politikane, familjet mund të më kuptojnë që është koha të dilet me të vërtetën”, tha Zhivkoviq.

Ajo deklaroi se e vërteta nuk është fshehur, por ende nuk ka guxim që ajo të tregohet.

“E vërteta nuk është fshehur, vetëm nuk është dalë më të, kam frikë se ende ata që bënë krime nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me to”, tha Zhivkoviq.

Ajo deklaroi se njerëzit janë zhdukur ose pse ishin shqiptarë, ose pse ishin serbë.

Deputetja deklaroi se edhe Kosova e fsheh të vërtetën për sipas saj 1 mijë serbë të zhdukur.

“1 mijë serbë konsiderohen të zhdukur. Këtë të vërtetë e fsheh Kosova”, tha Zhivkoviq.

Ajo kritikoi deputetët dhe qeveritarët për mospjesëmarrje në debatin për të pagjeturit.

“Ulëset më shumë janë të zbrazëta se të mbushura”, përfundoi Zhivkoviq.