Zaimi Lirohet me Urdhër për ta Lëshuar Kosovën

Disa orë pas arrestimit, Policia e Kosovës e ka liruar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, shtetasin e Republikës së Shqipërisë, Arbër Zaimi, të cilit i ka dhënë urdhër që ta lëshojë Kosovën deri më 5 prill.

Në një prononcim për KALLXO.com, Arbër Zaimi tha se në Polici i kanë thënë se e ka pasur të lejuar të qëndrojë 90 ditë në Kosovë dhe se paska qëndruar 95 ditë.

“I kërkova regjistrimet e hyrje-daljeve por nuk m’i dhanë. Madje kishte gjëra paradoksale. Më thoshin që kam dalë 7 herë nga Kosova por nuk kishin regjistruar asnjë hyrje”, ka treguar aktivisti i LVV-së.

“Ma dhanë një urdhër për largim vullnetar, që duhet ta lëshoj Kosovën deri më 5 prill dhe më ndalohet hyrja për dy muaj. Nëse nuk e bëj shkruan që do të më largojnë me forcë. Unë do të bëj ankesë. Nëse nuk marr përgjigje të favorshme do ta çoj lëndën në gjykatë”, tha ai për KALLXO.com.

Arbër Zaimi ka treguar se në Polici e kanë mbajtur dy orë dhe më pas i kanë thënë të shkojë të presë në një kafene deri sa ta marrin vendimin. “Kam pritur edhe tri orë dhe tek para gjysmë ore ma kanë dhënë urdhrin”, tregoi Arbër Zaimi.

Zaimi është aktivisti i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria që arrestohet nga Policia e Kosovës.

Ditë më parë është arrestuar edhe Boiken Abazi, i cili menjëherë është deportuar nga Kosova dhe i është ndaluar hyrja këtu për dy vjet.

http://kallxo.com/arrestohet-arber-zaimi-aktivist-i-lvv-se-nga-shqiperia/