Fredrik Wesslau - Foto: Rtv21

Wesslau: Nëse Dëshiron të Ruajë Kataloninë, Spanja Duhet ta Njohë Kosovën

Drejtori i Qendrës për Ballkanin Perëndimor, Rusinë, Turqinë dhe Europën Lindore, Fredrik Wesslau, është i mendimit se Spanja duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, nëse dëshiron të ruajë Kataloninë.

Në intervistën për “Politiko”, duke komentuar konstatimin e gazetares së Madridi do të dukej si dyfytyrësh nëse lufton separatizmin në Spanjë por e mbështet diku tjetër, Wesslau tha se ky konstatim nuk qëndron.

“Nuk është ashtu, ngase Katalonia dhe Kosova janë dy raste krejtësisht të ndryshme. Spanja nuk po arrin të bëjë dallimin thelbësor mes këtyre dy rasteve dhe po dëshmon se nuk është në gjendje të bëjë dallimin mes kërkesës për vetëqeverisje dhe separatizmit. Në këtë mënyrë pa dashje po sinjalizon se edhe Barcelona mund të ketë të drejtën për t’u shkëputur”, tha Wesslau.

Ai më tutje vlerësoi se në Kosovë ka pasur luftë, se Prishtina është njohur nga mbi 100 shtete dhe se nuk ka kurrfarë kuptimi që Madridi të fut në një thes Kosovën dhe Kataloninë.

“Për këtë arsye mendoj se vendim i arsyeshëm për Spanjën do të ishte që ta njohë Kosovën dhe që të porosit separatistët katalonas se nuk kanë të drejtë të kërkojnë shtet si shqiptarët e Kosovës, ngase situata në Kataloni është krejt ndryshe dhe se Spanja ka të drejtë të qeverisë këtë rajon”, tha Wesslau.

“Politiko” qartësoi se Wesslau është autor i tekstit i Këshillit Europian për politikë të jashtme, i cili në radhët e veta tubon mbi 160 ish-presidentë, kryeministra, ministra dhe parlamentarë aktualë në Europë dhe në cilin tekst nënvizohet se njohja e Kosovës do ta forconte dhe nuk do ta dobësonte pozicionin e Spanjës në përpjekjet për të ruajtur Kataloninë.

Në tekst, Wesslau nënvizoi edhe konstatimin se Serbia nuk mund të rikthejë më Kosovën, ne në ndërhyrjen e gazetares se Qeveria në Beograd këmbëngul se nuk është ashtu, Wesslau  tha se në katër sy, prapa dyerve të mbyllura, përfaqësuesit e Qeverisë së Beogradi e dëshmojnë se e dinë fare mirë se Serbia e ka humbur Kosovën.

Ai më tutje qartësoi se Qeveria serbe nuk ka iluzion se do të rikthejë Kosovën, por se dëshiron ta shfrytëzoi këtë temë për të përfituar sa më shumë në negociatat me Europën./21Media